Ngjarje

Dezinfektantët, hetim për rritjen e çmimit

Shumë meme po qarkullojnë në rrjetet sociale për dezinfektantët e duarve dhe alkoolin etilik. Video më virale ishte ajo e katër të rinjve italianë që silleshin si mafia e Camorrës, e që kërkonte të niste betejën, jo për kokainën dhe as për zotërim trafiqesh të tjera, por për larësin e duarve.

Përtej humorit në gjendjen Covid-19, në Shqipëi krimi ekonomiko-financiar po administron kallëzime penale për luhatjen e çmimeve sa i takon alkoolit etilik i çnatyruar, apo edhe antiseptik dezinfektues për përdorim të jashtëm.

“Ne po kontrollojmë herë pas here farmacitë në shkallë vendi dhe shohim që ka luhatje të çmimeve për dezinfektantët me përmbajtje alkoolin. Kemi deri më tani 13 raste nën shqyrtim dhe po i verifikojmë”, tha një zyrtar pranë Drejtorisë Qendrore që heton falsifikimet dhe ngritjen e çmimeve për këtë produkt, që është në lupën e policisë, sikurse edhe çmimet e artikujve ushqimore.

Në një nga kontrollet rezulton që A. T, farmacist i pyetur nga policia deklaron: “Çmimi i alkoolit etilik i blerë brenda 24 orëve me diferencën e një mijë lekëve, nuk është abuzim nga ana ime. Por, me këtë vlerë e kam tërhequr nga furnitorët e mëdhenj”.

“Ditën e parë të monitoruar rezulton se produkti dezinfektant i shitet agjentit të Drejtorisë së Hetimit Tatimor me vlerën e 4 mijë lekëve dhe të nesërmen, ky produkt në të njëjtin vend shitet me vlerën e 5 mijë lekëve”, thuhet në procesverbalin e policisë dhe që citohet nga burimet për Gazetën “Si”.

Episodi tjetër, po ashtu i referuar nga policia është ai ndaj farmacistit P.C. ai deklaron: “Kam tetë vjet që ushtroj profesionin e farmacistit si person fizik dhe kam si artikull edhe alkool etilik”. Por agjenti tatimor vëren se dezinfektanti në këtë farmaci nuk ka aspak çmim. Farmacisti justifikohet: “Shkova tek tregu agro-ushqimor me adresë në Autostradë, në rrugë ishte një ambulator i cili shiste produkte dezinfektuese dhe e pyeta sa i shiste. Më tregoi se një copë vlente 320 lekë. Bleva dy kuti dhe gjithsej pagova 9600 lekë. Nuk mbaj mend nëse mora apo jo faturë. Më pas artikullin që po kërkohet shpesh dhe që mezi po e gjejmë do ta shisja nga 320 lekë në 400 lekë. Fillova të dyshoj se si produkt mund të ishte i falsifikuar dhe po bëhesha gati ta asgjësoja”.

Drejtoria e Hetimit Tatimor deklaron jo zyrtarisht për Gazetën “Si” se po këqyr një sërë rrjetesh farmaceutike, të cilave pas akteve të konstatimit, procesverbaleve të gjobitjes dhe kopjeve të ekstraktit në QKB, ja kalojnë matërialet krimit ekonomik. Në mjaft raste, shtoi burimi policor, fashikujt do t’i referojmë për fshehje të të ardhurave apo falsifikim, por që e gjitha kjo të ketë vlerë hetimore, duhet që në material të referohen të gjitha të dhënat krahasimore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë