Gazeta Si – Deptueti i Partisë Socialiste, Bardhyl Kollçaku, ish-shef i Shtabit të Përgithshëm të FA-ve, është pyetur për mbi tri orë në SPAK, në lidhje me hetimet që kanë nisur për menaxhimin e pronave të ushtrisë dhe bazave detare në Sarandë dhe Shëngjin.
Pas dëshmisë, ai nuk dha detaje për mediat, ndërkohë që prokurorët kanë marrë në pyetje edhe denoncuesin e çështjes, Artur Meçollarin, ish-zyrtar i lartë i ushtrisë.
Pasi qëndroi për 3 orë e 10 minuta në SPAK, Kollçaku, nuk preferoi të komentonte pse ishte thirrur dhe çfarë deklarimesh ka dhënë para hetuesve.

“Është sekret hetimor, do të informoheni në momentin e duhur”, tha deputeti socialist, duke iu shmangur pyetjeve të medias.
Por ai që e “demaskoi”, ishte pikërisht Meçollari, i cili tha për mediat se u pyet për privatizimin e pronave të ushtrisë në Sarandë. Ai pretendoi se në atë zonë i është dhënë çdo centimetër privatit.
“U pyeta në cilësinë e kallëzuesit për bazën detare të Sarandës, ku privatit i është dhëne çdo centimetër pa lënë asgjë për ushtrinë, – tha sot ish-zëvendës shefi i Forcave Detare. – I kam akuzuar për shpërdorim detyre. Kam besim te SPAK. Po të mos të kisha besim, s’do e bëja kallëzimin”.
Në fakt, Kollçaku është kallëzuar nga ish-gjenerali Meçollari në vitin 2021 për “shpërdorim detyre” në tjetërsimin e pronave ushtarake në kohën kur zyrtari aktual ishte shef i Shtatit të Përgjithshëm të FA.
Kallëzimi në fjalë ka të bëjë me dhënien me qira të bazës detare të Limionit në Sarandë, prej më shumë se 150 mijë m2 dhe një godinë të ngritur në Bazën Detare të Shëngjinit, Lezhë.

Ndërkohë, përveç Kollçakut, Meçollari ka kallëzuar edhe ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçkën. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri nisi hetimet pas dy kallëzimeve penale të bëra në mars dhe prill të vitit të 2021 nga Meçollari.
Në to, përfshihen zyrtarë të tanishëm dhe ish-zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Forcës Detare dhe Policisë Ushtarake.
Në një intervistë për “Zërin e Amerikës” një vitmë parë, Meçollari do t’i akuzonte ata, se kanë kanë shpërdoruar detyrën në lidhje me dy aktivitete private të lejuara në pronat në Planin e Vendosjes dhe të Përhapjes, siç njihen zonat ku janë të dislokuara forcat detare (Këto prona janë pjesë e strukturës dhe kërkesave operacionale të Forcës Detare).
Çdo ndryshim i këtyre pronave bëhet me propozim të Ministrit të Mbrojtjes dhe miratohet nga Presidenti. Meçollari, në dy kallëzimet e tij, thotë se ndryshimet në plan janë bërë pa marrë miratimin e Presidentit.
“Njëra padi është për shpërdorim detyre në lidhje me dhënien me qera të të gjithë bazës detare të Limionit Sarandë, duke mos lënë asnjë asnjë metër katror për forcën detare, dhe e dyta është për bazën detare të Shëngjinit, ku është ndërtuar brenda pronës që ndodhet në planin e vendosjes dhe të përhapjes të Forcës Detare, që është e ndaluar kategorikisht me ligj”,- do të shprehej Artur Meçollari.
Artur Meçollari është shkarkuar nga detyra, pas daljes së disa pamjeve nga një ceremoni martesore që po zhvillohej në një anije ushtarake, në vitin 2020.
“Shkarkimi nga detyra ka ardhur pasi nuk ka respektuar rregullat e sigurisë dhe ka shkelur statusin e ushtarakut duke organizuar një event pa dijeninë e strukturave përkatëse”, thuhej në njoftimin e ministrisë për shkarkimin e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.