Ngjarje

Hetimet për tërmetin ngecën, u shfrynë, u zvarritën…

Pa u mbushur mirë java nga tërmeti i 26 nëntorit, prokuroritë në Durrës, Tiranë dhe Krujë njoftuan se kishin nisur jozyrtarisht hetimet për të verifikuar nëse kishte shkelje në cilësinë, lejet dhe abuzime të tjera me ndërtimet që u shembën dhe u dëmtuan në zonat e goditura prej lëkundjeve.

Olsian Çela, që kishte pak ditë që ishte zgjedhur në krye të organit të akuzës duke zëvendësuar të përkohshmen Arta Marku premtonte në javën e parë të dhjetorit gjatë një vizite në Prokurorinë e Durrësit, se Prokuroria do të bënte detyrën do të zbatonte me korrektesë ligjin dhe do të ishte e prerë.

Sot, një vit nga tërmeti që u mori jetën 51 personave, la mbi 900 të tjerë të plagosur dhe ka lënë ende pa çati me mijëra të tjerë, Gazeta “Si” sjell bilancin e hetimeve të prokurorisë.

Pak ditë pas deklaratës së Olsian Çelës e para që konfirmoi zyrtarisht nisjen e hetimeve dhe vënien nën akuzë të disa personave ishte Prokuroria e Durrësit. Në mes të dhjetorit, kjo prokuroria deklaroi se kishte nxjerrë urdhër-arreste për 17 persona. Për nëntë prej tyre urdhri i prokurorisë u ekzekutua, ndërsa në kërkim u shpallën tetë të tjerë.

Kryeprokurorja e Durrësit, Anita Jella, që në shkurt të 2020 u konfirmua nga shkalla e parë e vettingut, doli në një konferencë për shtyp së bashku me Drejtorin e Policisë së Durrësit, Lorenc Shehu për të dhënë më shumë detaje mbi urdhër-ndalimet e lëshuara, personat e akuzuar dhe akuzat që rëndonin mbi ta. Shehu tha se në pranga kishin përfunduar 9 persona, ndërsa 8 të tjerë ishin shpallur në kërkim pasi rezultonin jashtë vendit.

Kush ishin të akuzuarit nga Prokuroria e Durrësit

Bëhej fjalë për një grup personash të mikluar, nga ndërtues, kolaudues, supervizorë punimesh, deri tek zyrtarë dhe ish-zyrtarë të pushtetit vendor dhe agjencisë shtetërore të legalizimeve, ish-ALUIZNI-t. . Akuzat që rëndonin ndaj tyre ishin të rënda; nga "Shpërdorimi i detyrës", te "Falsifikimi i dokumentave", deri tek "Vrasja me dashje" e "Vrasje në rrethana cilësuese".

Mes personave të ndaluar ishte Arben Isaku, 42 vjeç, ish-drejtor i ALUIZNI-it Durrës, që akuzohej për “Shpërdorim të detyrës” dhe zv.kryetar i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Durrës. Isaku ishte mes emrave të arrestuar me urdhër të prokurorit Arjan Ndoja, së bashku me kreun e AShK-së së Durrësit, Liridon Pula nën akuzën e korrupsionit.

Po për “Shpërdorim detyre policia arrestoi edhe Klajdi Lamen, 32 vjeç, në cilësinë e inspektorit të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Durrës të një pallati 6- katësh, pas shembjes së të cilit humbën jetën dy shtetase. Edhe Albrend Qetka, 35 vjeç u përball me të njëjtën akuzë si specialist i verifikimit në terren pranë ALUIZNI-it. Defrim Celami, i moshës 44 vjeç u ndalua për “shpërdorimit të detyrës”. Celami ka qenë specialisti që ka përpiluar aktin e ekspertimit teknik në të pallatit 6-katësh.

Mes të ndaluarve ishin edhe dy drejtues të Konvaleshencës së Durrësit, objekt në pronësi të Ministrisë së Brendshme. Kujtim Hasa, me detyrë shef e shërbimeve të kësaj qendre u akuzua për “Vrasje me dashje”, ndërsa drejtori i qendrës, Ahmet Doda u akuzua për “shpërdorim detyre”. Akuzat ndaj tyre u ngritën pas shembjes së një pjese të godinës, që i mori jetën komisarit Bajram Hajdarmetaj.

U arrestuan gjithashtu edhe dy pronarë hotelesh, ku u regjistruan viktima. Pronari i hotel Mira Mare, Rruzhdi Xheka u akuzua për “Vrasje në rrethana të tjera lehtësuese”. Në tragjedinë e 26 nëntorit në këtë hotel vdiqën dy shtetas.

Në pranga, tha policia, përfundoi edhe Avdulla Osmani, pronar i hotel Tropikalit. Ai akuzohej për ndërtim pa leje dhe legalizim në formë të paligjshme të objektit, ku më 26 nëntor humbën jetën dy shtetas të Kosovës.

Policia arrestoi edhe Nevjana Isufi, inxhiniere, 45 vjeçe. Në hetimet e kryera është arritur në konkluzionin se ajo me studion e saj private hartonte projekte fiktive dhe është e dyshuar si autore e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

Në kërkim u shpallën 8 shtetas, mes të cilëve edhe Dëshira dhe Arben Qato, pronarë të Vila Palma. Dëshira Qato, aktualisht është punonjëse në Bashkinë e Kavajës. Në tërmetin e 26 nëntori humbi jetën babai i Arben Qatos, por nga rrënojat i shpëtoi djali i tyre, Klajdi Qato 25 vjeç. Gjithashtu në kërkim u shpallën edhe Flamur Gjuzi, ish-kreu i ALUIZNI-t, si dhe Artur Çela, ish-drejtori i INUV.

Prokuroria e Durrësit mbylli hetimet një javë para se të shënohej 1-vjetori i tragjedisë. Të akuzuarit u zbritën nga 17-të në 16-të vetë. Jo vetëm kaq, akuzat ndaj tyre u zbutën në “vrasje nga pakujdesia” dhe “shpërdorim detyre”.

Sipas “Zërit të Amerikës”, me përjashtim të Ramiz Shehut, personi që ka ndërtuar vilën 4-katëshe të familjes Lala, ku humbën jetën 8 persona, i cili është në qeli, të gjithë të akuzuarit do të gjykohen në gjendje të lirë, madje disa të rikthyer në detyra shtetërore, si rasti i Dëshira Qatos, që vazhdon funksionin e saj në Bashkinë e Kavajës.

Hetimet në Tiranë

Prokuroria e kryeqytetit nxorri urdhër-ndalime për të paktën 30 persona. Ashtu si në Durrës, edhe këtu të akuzuarit ishin ndërtues, kolaudatorë, supervizorë dhe funksionarë, apo ish-funksionarë të njësive administrative, apo ish-komunave. Aksioni u përqëndrua në Bashkinë e Vorës, në ish-Komunën e Kasharit dhe atë të Farkës, që të trija njësi të qeverisura ndër vite nga përfaqësues të Partisë Demokratike, e cila hidhte dyshime se ky aksion i prokurorisë kishte prapavijë politike.

Pallat i shpallur i pabanueshëm në zonën e Kombinatit në Tiranë

Për ndryshim nga Durrësi, akuzat e ngritura nga prokuroria e kryeqytetit ishin më të zbutura, ku përfshiheshin “shpërdorim detyre”, “falsifikim dokumentacioni” dhe “ndërtim pa leje”. Aktualisht, asnjëri prej personave të ndaluar dhe akuzuar sipas urdhrit të prokurorisë të janarit të këtij viti nuk është në qeli.

Hetimet janë mbyllur vetëm për një shtetas, që është dërguar për gjykim me akuzën e ndërhyrjes së paligjshme në një ndërtesë, duke dëmtuar kollonat e tij. Hetimet për pjesën tjetër vazhdojnë dhe zvarritjen e tyre, prokuroria e arsyeton me faktin se është kërkuar kryerja e akteve të ekspertimit për cilësinë e materialeve të ndërtimi.

Hetimet e Prokurorisë së Krujës

Dosja në këtë prokurori është voluminoze, por numri i personave të akuzuar jo edhe aq. Sipas Prokurorisë së Krujës janë marrë nën hetim 10 persona për shembjen e shkollës “Ramazan Jangozi” në Thumanë.

Personat nën hetim janë projektues, supervizorë, kolaudatorë, administratorë dhe funksionarë të Bashkisë. Bashkia e Krujës mori në dorëzim objektin e shkollës, që ishte mbyllur pas tërmetit të 21 shtatorit, pak ditë para tërmetit të 26 nëntorit. Mbyllja ishte bërë me arsyetimin e riparimit dhe forcimin e strukturës së shkollës.

Por, nga hetimi i prokurorisë kanë dalë në pah shkelje të shumta në këtë proces, që nga një vlerësim jo i saktë i gjendjes së objektit, te mungesa e dokumentacionit sizmiomiologjik dhe teknik mbi bazën e të cilit janë propozuar punimet që duhet të kryheshin, punime ishin vetëm riparime dhe jo ndërhyrje në qëndrueshmërinë e godinës dhe deri tek gjetja se njëra prej kompanive fituese të tenderit e kishte të ndaluar pjesëmarrjen në tenderat publikë.

Por, hetimi kryesor, ai që lidhet me shembjen e dy pallateve ku gjetën vdekjen 26 persona është ende në fazë fillestare. Zëri i Amerikës thotë se puna e kryer deri më tani nga Prokuroria e Durrësit është administrimi i dokumentacioneve dhe marrja në pyetje e një numri të madh personash, që mund të kenë dijeni mbi mënyrën se si është bërë ekspertimi gjeologjik i dy pallateve pas tërmetit të 21 shtatorit. Prokuroria e Krujës thotë gjithashtu se është në pritje të akt-ekspertimit teknik-ndërtimor dhe citon pandeminë si pengesë në ecurinë e hetimeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë