Tre javë pas tërmetit të 26 nëntorit, që rezultoi me një bilanc tragjike me humbjen e 51 jetëve, prokuroria dhe policia kanë lëshuar 17 urdhër-arreste dhe ka shoqëruar 35 persona, punonjës të të gjitha strukturave te shtetit që lidhen me hetimet për vënien para drejtësisë të përgjegjësve sa i takon sigurisë së godinave. Fletë-arrestet janë lëshuar për personat që dyshohet se kanë lidhje me legalizimin, projektimin apo certifikimin e objekteve që janë rrëzuar nga lëkundjet e tërmetit të 26 nëntorit. Drejtori i Policisë së Durrësit, Lorenc Shehu, i shoqëruar nga kryeprokurorja e Rrethit, Anita Jella dhe Drejtori i Drejtorisë për Krimet Ekonomike e Financiare në Policinë e Shtetit, Lutfi Minxhozi në konferencën për shtyp për të dhënë informacion zyrtar për aksionin e nisur në Durrës për ndalimin e personave përgjegjës për sigurinë e godinave ku humbën jetën 51 persona. Shehu ka bërë të ditur se janë arrestuar 9 persona dhe janë shpallur në kërkim 8 të tjerë. Sipas tij, këto persona janë larguar edhe më përpara se të binte tërmeti, por që sipas sistemit TIMS mësohet se kanë ikur jashtë shtetit. “Pas një pune intensive dyjavore, në përfundim të fazës së parë të punës, në bazë të provave të grumbulluara nga grupi i punës, Prokuroria e Rrethtit Gjyqësor Durrës, gjatë mbrëmjes së djeshme, lëshoi 17 urdhra ndalimi, nga të cilat, 9 prej tyre janë ekzekutuar dhe vijon puna në terren për gjetjen e personave të tjerë”, deklaroi Shehu.
Në mes të ndaluarve është Arben Isaku, 42 vjeç, me detyrë ish-drejtor i ALUIZNI-it Durrës, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”. Ai aktualisht është nëndrejtori i Kadastrës së Durrësit dhe mban postin e numrit dy të Partisë Socialiste në Durrës. Për “Shpërdorim detyre është arrestuar Klajdi Lame, 32 vjeç, në cilësinë e inspektorit të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Durrës, në objektin pallat 6- katësh, i cili ndodhet në lagjen Nr. 6, rruga “Shoqëria Bashkimi”, ku humbën jetën dy shtetase. Po për veprën e “shpërdorimit të detyrës” është arrestuar Albrend Qetka, 35 vjeç. Ai ka qenë sipas policisë dhe grupit hetimor specialisti i verifikimit në terren pranë ALUIZNI-it, Durrës, në objektin pallat 6- katësh që u shemb më 26 nëntor. Edhe Defrim Celami, i moshës 44 vjeç është ndaluar për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”. Celami ka qenë specialisti që ka përpiluar aktin e ekspertimit teknik në objektin pallat 6- katësh në Durrës.
Në listën e të arrestuar figuron dhe dy drejtuesit e qendrës së pushimit të Durrës, që është në pronësi të Ministrisë së Brendshme që njihet ndryshe me emrin Konvaleshencës. Për Kujtim Hasën, shefin e shërbimeve të kësaj qendre tashmë i arrestuar i rëndon akuza e veprës penale “Vraje me dashje”. Ndërsa për drejtorin e kësaj qendre Ahmet Doda, i arrestuar, dyshohet si “autor veprës penale të “Shpërdorimit të Detyrës”. Në natën e 26 nëntorit, një pjesë e godinës së shtëpisë së pushimit u shemb dhe sipas saj vdiq kryekomisari, Bajram Hajdarmetaj. Godina kishte pësuar goditje edhe në tërmetin e 21 shtatorit, edhe pas inspektimit ndërtesa u përcaktua për ndërhyrje urgjente në muraturë, por që nuk u mor parasysh në kohë, i mori jetën
Policia mësohet se ka prangosur edhe pronarët e dy hoteleve ku ndodhi fatkeqësia dhe pati humbje jetësh në tërmetin e 26 nëntori.
Pronari i hotel Mira Mare, Rruzhdi Xheka është arrestuar dhe dyshohet si autor i veprës penale “Vrasje në rrethana të tjera lehtësuese”. Në tragjedinë e 26 nëntorit në këtë hotel vdiqën dy shtetas.
Edhe Avdulla Osmani, pronari i hotel Tropikal në zonën e plazhit është arrestuar. Ndalimi i tij është bërë në cilësinë e ndërtuesit informal të legalizuar më vonë në mënyrë të paligjshme të objektit “Hotel Tropikal”, ku humbën jetën 2 shtetas kosovarë. Policia ka arrestuar gjithashtu edhe Nevjana Isufi, inxhiniere, 45 vjeçe. Në hetimet e kryera është arritur në konkluzionin se ajo me studion e saj private hartonte projekte fiktive dhe është e dyshuar si autore e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Ndërsa janë shpallur në kërkim 8 shtetas, ku mes tyre mendohet se janë Artemis Malo, Dëshira dhe Arben Qato që janë pronarë të Vilës Palma. Dëshira Qato punon në bashkinë e Kavajës. Në tërmetin e 26 nëntori humbi jetën babai i Arbenit, por nga rrënojat i shpëtoi djali i tyre, Klajdi Qato 25 vjeç. Gjithashtu sipas burimeve Flamur Gjuzi ish-kreu i ALUIZNI-t, i cili më parë ka qenë kandidat për deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim, si dhe Artur Çela ish-drejtori i INUV.
Grupi i posaçëm, nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për dokumentimin e plotë dhe nxjerrjen e përgjegjësive për personat përgjegjës, për çdo rast që është evidentuar si pasojë e tërmetit të datës 26 nëntor. Ndërkohë, vijon puna e pandërprerë në terren për gjetjen dhe ndalimin e personave të tjerë, për të cilët Prokuroria ka lëshuar urdhër-ndalimi, por për arsye hetimi nuk i bëjmë me dije gjeneralitetet e tyre.
“Theksojmë faktin se disa prej personave, për të cilët Prokuroria ka lëshuar urdhër-ndalimi janë larguar jashtë shtetit menjëherë pasi ra tërmeti. Policia e Shtetit garanton qytetarët se është tërësisht e vendosur dhe e përkushtuar për të garantuar rendin e sigurinë, për të luftuar krimin e organizuar, atë ekonomik e financiar duke çuar para drejtësisë personat përgjegjës. Falënderojmë qytetarët për besimin dhe bashkëpunimin e deritanishëm dhe i ftojmë sërish që të denoncojnë në 112 e Komsiariatin Dixhital çdo paligjshmëri duke u garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm”, theksoi Shehu.
Ndërkohë Drejtori i Krimit Ekononik Lutfi Minxhozi ka deklaruar gjatë konferencës për shtyp lidhur me arrestimet e personave përgjegjës për shembjen e banesave nga tërmeti, se një pjesë e tyre janë larguar për shkak të dëmtimeve që kanë pësuar dhe jo për shkak të dijenisë lidhur me hetimet.
“Nuk është se ata kanë marrë dijeni për hetimin dhe janë larguar. Policia ka dërguar në pikat e kalimit emrat e tyre. Një nga personat është larguar para tërmetit. Të tjerët janë larguar edhe për shkak të dëmtimeve që kanë pësuar nga tërmeti, nuk është se janë larguar nga hetimi”, tha Minxhozi.
Të arrestuarit dhe veprat penale që akuzohen
Arben Isaku, 42 vjeç, me detyrë ish-drejtor i ALUIZNI-it Durrës, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”
Klajdi Lame, 32 vjeç, në cilësinë e inspektorit të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Durrës, në objektin pallat 6- katësh, i cili ndodhet në lagjen Nr. 6, rruga “Shoqëria Bashkimi”, ku humbën jetën dy shtetase, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Albrend Qetka, 35 vjeç, në cilësinë e specialistit të verifikimit në terren pranë ALUIZNI-it, Durrës, në objektin pallat 6- katësh, i cili ndodhet në lagjen Nr. 6, rruga “Shoqëria Bashkimi”, ku humbën jetën dy shtetase, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Kujtim Hasa, 53 vjeç, në cilësinë e shefit të shërbimeve të shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Brendshme, i dyshuar si autor i vepres penale “Vrasja me dashje”.
Ahmet Doda, 52 vjeç, në cilësinë e drejtorit të shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Brendshme, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Rruzhdi Xheka, 79 vjeç, në cilësinë e ndërtuesit informal në objektin “Hotel Mira Mare”, ku humbën jetën 2 shtetas, i dyshuar si autor i veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”.
Avdulla Osmani, 61 vjeç, në cilësinë e ndërtuesit informal të legalizuar më vonë në mënyrë të paligjshme të objektit “Hotel Tropikal”, ku humbën jetën 2 shtetas kosovarë, i dyshuar si autor i veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”.
Defrim Celami, 44 vjeç, në cilësinë e specialistit që ka përpiluar aktin e ekspertimit teknik në objektin pallat 6- katësh, i cili ndodhet në lagjen Nr. 6, rruga “Shoqëria Bashkimi”, ku humbën jetën dy shtetase, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës.
Nevjana Isufi, 45 vjeçe, e cila me studion e saj private hartonte projekte fiktive, e dyshuar si autore e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.