Gazeta Si - Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja ka mbërritur mëngjesin e të hënës në SPAK për t’u pyetur në lidhje me hetimin për koncesionin e sterilizimit.
Beqja ka qenë i vetëm në momentin që është futur në godinën e Prokurorisë së Posaçme dhe me vete mbante një çantë shpine.
Gjatë kohës që ai drejtoi Ministrinë e Shëndetësisë, ka firmosur privatizimin e sterilizimit, hemodializës dhe kontrollit të detyrueshëm shëndetësor (check-up).
Këto koncesione janë kontestuar në publik për shkak se janë fituar në mënyra të parregullta dhe misterioze, por situatën e ka marrë në dorë Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion.
Ishte Nisma “Thurje” që ngriti një pasi ndaj ish-ministrit Beqaj dhe 11 zyrtarëve të tjerë të ministrisë së Shëndetësisë.
Pritet që SPAK të marrë në pyetje të gjithë zyrtarët e akuzuar për këtë çështje, ku në krye qëndron ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj.
Dhjetë ditë më parë ishte ish-zëvendësministri Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj që dëshmoi për të dytën herë.
Hetimet e SPAK që zgjasin prej 2 vitesh e gjysmë, konstatojnë se koncesioni është dhënë në kundërshtim me ligjin.
Në vitin 2016, Prokuroria e Tiranës kreu një hetim mbi këtë koncesion, por pushoi hetimet.
Vetëm tenderi i strerilzimit të pajisjeve mjekësore ka një kontratë prej 12.3 miliardë lekëve, ndërsa Check Up shkon në rreth 8.7 miliardë lekë.
Në akuzat e kallëzuesve, thuhet se ky koncesion është i panevojshëm, duke hedhur dyshime për abuzime të ndryshme financiare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.