Gazeta Si – Tre vite pas tërmetit që goditi vendin në 26 nëntor, Gjykata e Durrësit ka shpallur të pafajshëm 4 persona të akuzuar, mes tyre dhe ish-zyrtarë të akuzuar pë shpërdorim detyre për shkak të dhënies së lejeve dhe ndërtimeve pa kriter, duke shkelur ligjin.
Ish-drejtori i ALUIZNI-t Flamuz Gjuzi, fitoi pafajësinë, së bashku me Artur Çelën, i cili në atë kohë mbante detyrën e drejtorit të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit në varësi të Bashkisë Durrës.
I pafajshëm është shpallur edhe Artur Terziu, i cili u akuzua për ndërtim të paligjshëm. Terziu ishte pronar i lokalit Barons, i ndërtuar në katin e parë të pallatit që u shemb ditën e tërmetit dhe ku mbetën të vdekur dy banorë të tij.
Në lidhje me personat e tjerë, Skerdi Bello ish-punonjës i ALUIZNI-t, u dënua me shërbim prove për një periudhë 2-vjeçare së bashku me Alfred Qetka, ndërsa Aldo Dakovelli u dënua me punë në shërbim të komunitetit.
Prokuroria e Durrësit, e cila përfaqësohej nga prokurori Madrid Kullolli, firmosi menjëherë pas tërmetit 17 urdhër-arreste për persona që u cilësuan përgjegjës për shembjen e disa ndërtesave në Durrës, në të cilat humbën jetën 31 persona.
Artur Terziu kishte bërë ndërhyrje në strukturën e pallatit, duke holluar muret, bazamentin mbajtës të tij, me qëllim përfitimin e hapësirave të mjaftueshme për lokalin e tij.
Gjithashtu kishte shfrytëzuar tarracën për të vendosur tre depozita voluminoze në funksion të biznesit të tij, ndërkohë që leja për këtë shtesë u dha nga ish-drejtori i ALUIZNIT në Durrës, Flamur Gjuzi.
Pas hetimeve të nisura pas tërmetit, u dëmtuan një numër i konsiderueshëm banesash dhe objektesh të tjera, ndërsa humbën jetën gjithsej 51 persona. Vetëm në qytetin e Durrësit u regjistruan 23 viktima dhe u dëmtuan me qindra banesa në qytet dhe zonën e plazhit.
Në dokumentin e Prokurorisë së Durrësit, thuhet se hetimet janë kryer për 7 ndërtime, shembja e të cilave gjatë tërmetit të 26 nëntorit u mori jetën 23 personave.
Akuzat për të pandehurit, përfshinin “vrasje nga pakujdesia”, “shpërdorim detyre”, “falsifikim dokumentesh” dhe “shpërdorim i tokës”.
Hetimet nisën në momentin kur dëmtimet e këtyre godinave dhe pasojat në vdekjen e njerëzve, kanë ardhur edhe si shkak i ndërtimeve të kryera pa respektuar rregullat, normat dhe standardet në fushën e ndërtimeve, si dhe për shkak të ndërtimeve të kryera pa lejen e organeve kompetente.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.