Drejtësia

Inceneratorët, Alqi Bllako mohon akuzat: ‘S’kam pasur rol vendim-marrës’

Gazeta Si - Pas 2 orësh, SPAK ka përfunduar marrjen në pyetje të ish-deputetit socialist Alqi Bllako, lidhur me aferën 4.9 mln euro me inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit.

Bllako, i arrestuar për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, ka mohuar akuzat që të ketë shkelur ligjin gjatë procedurës së ndjekur për dhënien e koncesionit për ndërtimin e inceneratorit të Fierit.

Në dëshminë e tij, Bllako ka mohuar që të ketë rol vendimmarrës te inceneratorët, duke thënë se detyra e tij ka qenë vetëm të përcjellë shkresën për miratim te Këshilli i Ministrave.

LEXO EDHE:
- 'Jam beqar, por bashkëjetoj dhe kam 3 fëmijë', çfarë tha Alqi Bllako në gjykatë, dhe enigma se pse nuk u pyet se ku ishte para arrestimit
- Si fitoi miliona Lefter Koka përmes kompanisë së vëllait. Të gjithë blenë sheqer, njëri prej tyre i pagoi qiranë ish-ministrit

Edhe për dy amendimet e kontratës, Bllako është shprehur se janë bërë konform ligjeve për prokurorimet publike.

Ndërkohë ka mohuar që të ketë marrë ryshfet nga kompania që fitoi tenderin nëpërmjet punësimit fiktiv të babait. Bllako njëlloj është shprehur edhe për shtyrjen e kontratave, duke thënë se nuk ishte autoritet kontraktor.

GJKKO ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa rëndojnë akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit të zyrtarëve të lartë për çështjen e inceneratorit të Fierit.

Nga ana tjetër, prokurorët e SPAK-ut, pritet të marrin në pyetje për herë të parë, nesër në orën 10:00 ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka, i arrestuar për aferën e inceneratorëve.

Ai është transferuar prej ditësh në paraburgimin e Durrësit, pasi nuk lejohet të qëndrojë në të njëjtin ambient paraburgimi me ish-deputetin Alqi Bllako për të shmangur kontaktet mes njëri-tjetrit.

Gjykata i kërkoi Parlamentit autorizim për arrestimin e tij, për shkak të imunitetit politik, por Bllako dorëzoi mandatin e deputetit, para se të ndodhte procedura për shqyrtimin e kërkesës.

Akuza ndaj Bllakos u ngrit nga SPAK bashkë me 9 zyrtarë të tjerë që ishin të lidhur me procedurat e koncensionit për inceneratorin e Fierit, përfshi dhe ish-ministrin Lefter Koka i cili ndodhet në burg për inceneratorin e Elbasanit.

Ish-ministri i Mjedisit akuzohet për shpërdorim detyre dhe korrupsion për të dy incineratorët si atë të Fierit dhe të Elbasanit.

Koka akuzohet se përvetësoi rreth 5 mln euro nga inceneratorët në Elbasan dhe Fier. Ish ministri vijon të mbetet në burg pas vendimit të marrë më 31 mars nga Gjykata e Lartë, e cila i ka refuzuar rekursin për t’u liruar nga masa e sigurimit 'arrest me burg' pas akuzave për aferën 3.7 milionë euro për çështjen e inceneratorit të Elbasanit.

SPAK thotë se ka prova që ish-ministri ka përfituar në mënyrë të paligjshme edhe nga inceneratori i Fierit, në një vlerë prej 1.2 milionë euro, pra në total sipas SPAK, rreth 5 milionë euro nga të 2 inceneratorët.

SPAK e akuzon Lefter Kokën për shpërdorim të detyrës, pastrim të parave dhe korrupsion, ku përmes faturave tatimore fiktive nga kompani të treta të lidhura me ish-ministrin, për punime që në të vërtetë nuk janë kryer.

Kjo pagesë, iu dha Kokës si shpërblim për favorizimin që i bëri 2 kompanive për të lidhur kontratën e koncensionit.

Për dosjen e inceneratorëve, vijojnë të jenë në kërkim edhe administratorët e Klodian Zoto dhe Stela Gugallja, të cilët dyshohet se ndodhen jashtëShqipërisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë