Gazeta Si - Hetimet e SPAK-ut në Kadastër, kanë zbuluar bashkëpunimin e katër personave të akuzuar për veprën penale të korrupsionit në zgjedhje, si dhe për “kanosje dhe goditje për shkak të detyrës”.
Ata akuzohen se kanë ndikuar tek legalizimet për të mbledhur vota. Arrestimet dyshohet se erdhën pas hetimeve për ndikim të paligjshëm tek zgjedhësit në kuadër të fushatës elektorale të 14 majit për zgjedhjet e vendore.
Sipas policisë që ka ekzekutuar vendimet, dy persona janë arrestuar dhe për dy të tjerë është vendosur “arrest në shtëpi” dhe “detyrim paraqitje”. Mësohet se GJKKO vendosi “arrest me burg” për Dritan Stokan dhe Agim Osmanin, kryeplak i Saukut.
Ndërsa për Alqi Hajdinin, ish zyrtar i Kadastrës vendosi “arrest në shtëpi”, kurse për Ylli Baruti masën “detyrim paraqitje”.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, në bashkëpunim me njëri tjetrin, të arrestuarit Dritan Stoka, Agim Osmani, Alqi Hajdini dhe Ylli Baruti, kanë ndikuar në pajisjen me leje legalizimi të ndërtimeve pa leje për disa shtetas, sipas përgjimeve të bisedave telefonike.
Dritan Stoka, zyrtar i Drejtorisë së Përgjithshme të ASHK-së dhe Agim Osmani, kryeplak i Lagjes së Re, Sauk, dyshohet se kanë kryer veprime aktive gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve vendore të vitit 2019, duke kërkuar nga persona të ndryshëm përgatitjen e listave të personave që do të merrnin pjesë në zgjedhje, duke i detyruar për të votuar ose përcaktuar mënyrën e votimit, kundrejt përfitimeve, si për qëndrim në punë ose dhe nxjerrjen e lejeve të legalizimit për ndërtimet informale të votuesve në zonën e Saukut.
Ndërsa Alqi Hajdini, jurist dhe Ylli Baruti, në rolin e sekserit, nëpërmjet pranimit të përfitimeve të parregullta, shpërblim në të holla, kanë ndikuar në pajisjen me leje legalizimi të ndërtimeve pa leje të shtetasve G.K., N.S., E. M. dhe K.D.
Shtetasit e mësipërm dyshohen se kanë kryer në bashkëpunim veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.
Dritan Stoka, 46 vjeç, banues në Tiranë, me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës”;
Agim Osmani, 62 vjeç, banues në Tiranë, me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës”;
Alqi Hajdini 47 vjeç, banues në Tiranë, me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Goditjet për shkak të detyrës”;
Ylli Baruti, 47 vjeç, banues në Tiranë, me masë sigurie “Detyrim paraqitjeje”, për veprën penale “Prodhimi i armëve luftarake”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.