Ngjarje

Heshtja e “rreme” e karantinës, të varfërit po nervozohen

Në mbrëmje dëgjohen vetëm të lehurat e qenve. Zhurma e fshesave të mirëmbajtësve të rrugës. Tek tuk, rrugët e ndriçuara të Tiranës përshkohen nga makina të rralla, që asesi nuk janë private, ndoshta të ndonjë agjenti policie që merr turnin. Makinat e ushtrisë kalojnë herë pas herë nëpër kryeqytet, postblloqet që gjenden në akset kryesore të qytetit hapin krahun për to. Gjatë gjithë ditës nëpër qytet gjëmuan sirenat e mjeteve të ushtrisë, ndonjëherë edhe me urdhëra për të qëndruar në shtëpi dhe ndonjëherë edhe me këshillën: lani duart

Tirana dhe gjithë vendi ka hyrë në karantinë. COVID 19 është më kërcënues se asnjëherë, ndonëse shifrat e të prekurve raportohen përmes konferencave pak e nga pak. Bashkë me natën , rrugëve ju bashkohen në të rrallë edhe motorçikletat. Ato transportojnë pica drejt familjeve të mbyllura. Një çift të moshuarish çapiten me lodhje në mes të Tiranës së kthyer në qytet gati fantazëm.

Kanë udhëtuar nga spitali ku burri ka qenë shtruar dhe përsa kohë nuk kishin as auto-ambulancë, as taksi, as fëmijë pranë që t’i merrnin, ata  po ecin ecin vetëm për t’u kthyer në banesën e tyre. Ata e kanë shtëpinë tek Komuna e Parisit dhe mes për mes natës që ka rënë, të moshuarit  kanë ende rrugë për të përshkruar nga qendra e kryeqytetit.

Një infermiere që kalon përmes pedonales shfryn me nerva. Edhe ajo ka përfunduar turnin dhe ndjehet e lodhur jo vetëm nga puna, por edhe nga kontrollet e shumta. Të gjithë i kanë kërkuar dokumentin , të gjithëve ju ka treguar badgen e punës. “Nuk kisha mundësi të bleja ushqime për fëmijët” - thotë gruaja se “ isha në punë. Do sajohem dy ditë janë ndalim qarkullim”.

Por gjatë ditës radhët ishin mjaft shqetësuese nëpër dyqane, gjatë fashës kur lejohej dalja nga shtëpia. Nga ora 5:00 deri në orën 13:00, dikush vraponte sikur po shijonte rrugët për herë të fundit, një tjetër kishte nxjerrë fëmijët xhiro, pastaj dy orët e fundit të liridaljes të gjithë u grumbulluan nëpër furrat e bukës, supermarket, farmaci. Disa marrin bukë, në dyqanet ushqimore blihet çdo gjë. Pasi deri të hënën në orën 5:00 do jenë në karantinim, deri sa të dalin sërisht rregulla të reja. Për fanatikët e kafesë, makiato në dyqanet e bukës është një nga çastet kur shkelet distanca sociale, largësia 1 metër nga njëri- tjetri.

Kur troket ora 13:00, të gjithë ata që kanë mbetur në rrugë shpejtojnë për t’u kthyer në shtëpi. Ndalimi i qarkullimit sapo ka nisur. Shitësit mbyllin me shpejtësi të rrufeshme qepenat e dyqaneve . Radhët para tyre janë zhdukur me një të kërcitur të gishtave . Kush ka mbetur ende jashtë shtëpisë ose dëgjon një sirenë policie mbas shpine , efektivë policie që e ndalojnë dhe e pyesin dhe autoporlantë që njoftojnë “kthehuni në shtëpi”.  Nëpër rrugët e boshatisura  vërehen koshat e mbeturinave urbane që janë plot. Tek-tuk  makina private dhe kalimtarë që shpejtojnë për të mbërrritur në shtëpi. Në hyrjen e një bar-i, administratori  ka shkruar “ në zbatim të urdhërit  të qeverisë shqiptare, lokali mbyllet deri në përfundim  të gjendjes gripale”. Qindra  biznese të tjera kanë mbyllur qepenat. Në qytet ka rënë qetësia dhe heshtja e ndalim qarkullimit. Policia afishon nëpër  rrugë  rregullat e reja  për të parandaluar Covid 19 , të Ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirlliu, për ndalimin  e lëvizjes . “Mbani parasysh-thotë policia, që lëvizjet e mjeteve private lejohen gjatë orëvë për të shkuar në punë”. Dhe shifrat e larta të gjobave dhe makinave të bllokuara e kanë dhënë efektin e tyre.

Për policinë shqetësim është vetëm mbajtja e qytetarëve në shtëpi dhe ruajtja e shëndetit të tyre. Mes qindra memeve që janë kthyer në modë gjatë orëve të karantinimit nuk mungojnë edhe ato ku flitet për krim zero, vjedhje zero, por sherre në shtëpi mes bashkëshortëve mjaft shqetësuese.

Meme dedikuar dhunes ne familje

Por në të vërtetë shifrat për dhunë në familje janë të ulëta dhe siç shpjegojnë ekspertët kundër dhunës ndaj gruas kjo stepje vjen pasi dhunuesi jeton tashmë nën të njëjtën çati me të dhunuarën. Por një grua në Kamëz nuk është stepur aspak tha një burim i Gazetasi.al

Razie C. 50 vjeçe nga Kukësi kërkoi ndihmën e policisë pas konflikteve me bashkëjetuesin. 50 vjeçarja ishte martuar pesë vite më parë me shkuesi dhe nuk kishin bërë celebrime. Njeriun me të cilin familja e martoi është një 57 vjecar S. Sokolaj  që kishte mbi shpinë edhe katër martesa të tjera të dështuara. Sherri ndaj çiftit nisi pa ndonjë  shkak, por të dy ishin aq të acaruar tha një burim policor, sa kur mbërritën në komisariat secili akuzonte tjetrin për dhunë.

Një burim i sigurtë i tha Gazetës Si se gruaja këmbëngulte që partneri ishte bërë i vështirë ditët e fundit, grindej dhe kërkonte shkaqe për sherr duke u kapur pas vogëlsirave. Të njëjtën gjë i tha policisë në Kamëz edhe 57-vjeçari. Me pretendimin se gruaja ishte nevrike dhe i kërcënonte S. Sokolaj i kërkoi gjithashtu urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje

Policiai i shpjegoi Gazetë Si se për të shmangur ndonjë incident mes të dyve, është telefonuar Qendra për Gratë e Dhunuara për të strehuar gruan , të cilës i është firmosur nga oficerët mbrojtje e menjëhershme.

Por për disa orë rresht Qendra e Grave të Dhunuara nuk ka pranuar të hapë dyert nga frika e koronavirusit. Sic thuhet më tej për Gazetën Si, për disa orë gruaja është strehuar në polici dhe kanë qenë vetë agjentët e këtij komisariati që i kanë blerë madje edhe ushqim dhe ujë.

Kjo gjendje ka zgjatur disa orë negociata, derisa strehëza ëdhtë bindur për gjendjen shëndetësore të gruas, e cila konsiderohet e shpëtuar nga dhuna në familje .

Karantina në shtëpi nuk është e lehtë. Për herë të parë këto ditë të karantinës policia e kryeqytetit ka rregjistruar  një përplasje fizike babë e bir. I arrestuari sipas burimit të Gazetës Si quhet Enver M. Ai është i moshës 65 vjec tregon burimi i policisë dhe jeton në një hyrje në katin e parë në rrugën “Grigor Heba”. Pasi kanë qëndruar gjithë ditën në shtëpi dhe pasi kanë pirë edhe ndonjë gotë raki, sic duket ca nga stresi dhe ca nga alkooli, 65-vjeçari sapo është ulur për të ngrënë bukë, befas ka marrë thikën dhe ka goditur të birin. I dëmtuari është i moshës 34 vjec. Ai ka dalë menjëherë jashtë dhe rezulton të ketë njoftuar policinë në numrin pa pagesë. Por kur policia mbërriti, djali i është lutur policisë që mos t’ia arrestonin të atin, pasi ishin shumë të stresuar edhe nga situata dhe nga varfëria. Megjithatë Enveri do dalë para gjykatës të dielën për veprën dhunë në familje dhe plagosje e lehtë me dashje.

Qytetare perpara Gjykates se Apelit

Referuar urdhërit për të pasur kujdes për të dërguar qytetarë në qeli pasi rrezikohet shpërndarja e COVID 19, pritet që prokuroria të kërkojë masën detyrim paraqitje me kushtin që Enver M. mos të afrohet 500 metra në banesën ku jeton tashmë i biri. Nëse 65 vjecari do të shprehet se nuk ka asnjë mundësi ku të strehohet ,  me gjasë  prokuroria mund të ndryshojë qëndrim dhe të kërkojë arrest me burg, pasi në kohën e karantinimit nga COVID 19, edhe nëse qëndron jashtë shtëpisë i dyshuari rrezikon gjobitjen.

Kështu i ndodhi një burrë të moshuar, i cili teksa kishte thyer karantinimin në shtëpi, u gjobit pesë herë nga policia.

Për të gjitha rastet ai tregoi teksa Gazetasi.al e filmonte kur po gjobitej në një nga herët se “nuk kam asnjë mundësi si ta paguaj, kështu që gjobisni sa  të doni”. I moshuari nuk na e tregoi emrin por na tha se jetonte vetëm. Fëmijët i kishte larg dhe për të ky ishte momenti “kur donte të shijonte lirinë’?!!! në paqe me virusin vdekjeprurës….

Kur ky shkrim po mbyllej ishte ora 22.00 e së shtunës. E diela është një ditë e gjatë izolimi… asnjë nuk duhet të dalë. Tirana do të hesht këtë të diel, por brenda mureve të shtëpive të saj asgjë nuk është si më parë... të varfërit kanë nisur të irritohen.   


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë