Gazeta Si – Jasir Asani është pa dyshim zbulimi i madh i trajnerit Silvinjo. Pas golit të shënuar me Moldavinë po në “Air Albania”, ai i hapi rrugën edhe fitores së sotme ndaj Polonisë me një perlë të vërtetë.
Lojtari që luan në Korenë e Jugut, pas ndeshjes ka folur hapur se gjithçka ia dedikon trajnerit brazilian, pa të cilin nuk do të kishte veshur fanellën kuqezi.
“Rëndësi ka fitorja, u futëm në fushë për ta fituar këtë ndeshje. Silvinjo ka bërë një Kombëtare shumë të mirë. Fusha ndoshta nuk na lejoi të luanim futbollin siç e duam ne, por rëndësi ka fitorja. Doja të krosoja për Cikalleshin dhe Uzunin, por fusha nuk lejoi, sepse është shumë e keqe.
Kam pasur bisedime me FSHF-në edhe më përpara, por s’ka qenë e shkruar. Falenderoj Silvinjon, po të mos ishte ai, ndoshta nuk do të isha në Kombëtaren shqiptare. Duhet të vazhdojmë kështu”, – theksoi autori i golit të parë.
Më pas Asani foli për të ardhmen dhe bisedën e shkurtër me portierin Shezni: “Tani për tani jam në Kore, të mbaroj kampionatin atje dhe të shikojmë. Kush nuk ka dëshirë që të luajë në Europë.
Merita e gjithë suksesit është e Silvinjos, Zabaletës dhe gjithë stafit. Një bluzë e kam unë, një tjetër do t’ia jap motrës. Kur kam filluar futbollin, luaja mbrojtës i majtë. Shezni më tha që goditja ishte fenomenale, se nuk e priste. I thashë që ‘të pashë që lëvize dhe godita’”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.