Histori

Hera e parë që një avion u përplas me një grataçelë në Nju Jork

80 vjet më parë, në një ditë me mjegull, një bombardues u përplas me ndërtesën “Empire State Building”, ku humbën jetën 14 persona

Gazeta Si – Hera e parë që një aeroplan u përplas me një rrokaqiell në Nju Jork, nuk ishte në vitin 2001, por 56 vjet më parë, pak më shumë se një muaj para përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Më 28 korrik 1945, një ditë me mjegull, një avion-bombardues me tre persona në bord u përplas në katet e 78-të dhe 79-të të “Empire State Building”, e cila atëherë ishte ndërtesa më e lartë në botë.

Piloti dhe ushtarët e tjerë në bord vdiqën, si dhe 11 persona në zyrat e rrokaqiellit. Një vit më vonë, pikërisht për shkak të këtij aksidenti, Kongresi miratoi një ligj që u lejonte qytetarëve të padisin qeverinë. Aeroplani që u rrëzua ishte një bombardues B-25 Mitchell, një avion me dy motorë, 16 metra i gjatë.

Pilotohej nga Kapiteni William Franklin Smith, i cili kishte marrë medalje të shumta për pjesëmarrjen e tij në betejat ajrore në Evropë.

Një pjesë e aeroplanit të rrëzuar

Megjithatë, kapiteni Smith nuk ishte i angazhuar në luftime atë ditë; ai thjesht po fluturonte me dy ushtarë të tjerë nga Baza Ajrore Hanscom në Massachusetts, për në aeroportin komunal të New York City, i cili më vonë do të merrte emrin Fiorello LaGuardia.

Megjithatë, në Manhattan kishte aq shumë mjegull sa katet e sipërme të rrokaqiellit (të cilat kanë 102), nuk mund të shiheshin nga rruga poshtë “Empire State Building” dhe anasjelltas.

Stafi i kullës së kontrollit të aeroportit e paralajmëroi Smithin për dukshmërinë jashtëzakonisht të kufizuar mbi New York dhe e këshilloi të mos ulej në LaGuardia, por piloti nuk u dekurajua.

“Empire State Buliding” e parë nga vrima në çatinë e një ndërtese poshtë në Rrugën e 33-të, e cila u dëmtua gjithashtu nga avioni

Përplasja ndodhi në anën veriore të ndërtesës, mbi Rrugën e 34-të. Krahët e aeroplanit u prenë nga përplasja, ndërsa trupi i avionit krijoi një vrimë të madhe në murin e jashtëm të grataçelës njujorkeze.

Rezervuarët e karburantit shpërthyen, duke shkaktuar zjarr. Më shumë se njëzet persona u plagosën. Meqenëse Shtetet e Bashkuara ishin ende në luftë me Japoninë, shumë në Nju Jork supozuan se përplasja ishte shkaktuar nga një sulm japonez.

Megjithatë, pasojat për ndërtesën dhe qytetin ishin mjaft të kufizuara: struktura e “Empire State Building” kufizoi përhapjen e zjarrit, i cili u shua pas rreth një ore dhe pavarësisht prerjes gjashtë metra, aktivitetet normale të punës rifilluan të hënën pasardhëse.

Dëmet nga aksidenti në “Empire State Building”

Pas tre muajsh, dëmi u riparua plotësisht me një kosto prej afërsisht 1 milion dollarësh në atë kohë (rreth 15 milion euro sot).

Një imazh i rremë i rrëzimit qarkulloi së fundmi në mediat sociale, duke treguar një aeroplan shumë më të madh se një bombardues B-25 Mitchell të përplasur në “Empire State Building”.

Disa burime e përdorën atë për të përsëritur disa nga teoritë më të përhapura të konspiracionit në lidhje me 11 shtatorin 2001 dhe shkakun e shembjes së Kullave Binjake.

Një burrë shqyrton dokumentet e djegura në zjarr

Megjithatë, ekzistojnë shumë fotografi të pasojave të rrëzimit të 28 korrikut 1945. Më pak se një vit më vonë, më 20 maj 1946, ishte përsëri një ditë me mjegull në Nju Jork dhe një aeroplan tjetër ushtarak u përplas me një rrokaqiell në Manhattan.

Aeroplani ishte një “Beechcraft C-45F Expeditor”, një avion me dy motorë, 35 metra i gjatë dhe ndërtesa ishte 40 Wall Street, e njohur që nga viti 1995 si “Trump Building”: një ndërtesë zyrash në pronësi të Organizatës Trump të Donald Trump, por që nuk duhet ngatërruar me “Trump Tower”, selinë e kompanisë.

Kati i 58-të u godit. Pesë persona në bordin e aeroplanit vdiqën, katër burra dhe një grua. Pas dy aksidenteve, Ushtria ndaloi uljen e avionëve të saj në Nju Jork në mot me mjegull.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë