Ngjarje

Helmohen 12 kosovarë në Shëngjin, dyshohet nga dezinfektimi i mushkonjave  

12 kosovarë janë helmuar në një hotel në Shëngjin nga një material kimik, shkruajnë mediat e Kosovës.

Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu ka thënë për RTK se mendohet se, helmimi ka ardhur nga shkaku i një dezinfektimi me një material kimik për mushkonjat.

Ndreu sqaroi se helmimi nuk ka ndodhur nga ushqimi apo uji i pijshëm.

Fillimisht ai bëri të ditur se janë 9 persona që janë dërguar në spitalin e Lezhës. Me vonë u raportua për 12.

Ndreu sqaroi se të gjithë personat që kanë kërkuar ndihmë mjekësore kanë marrë raportet mjekësore përmes një kartele ku pasqyrohet i gjithë trajtimi mjekësor.

“Për të vërtetuar gjurmët në gjak për të përcaktuar mikroorganizma duhet minimalisht dy javë”, tha Ndreu.

Ndërkohë mjeku i spitalit thotë se pacientët kanë pasur simptomat e një helmimi, por nuk kanë qenë në gjendje të rëndë. Pasi morën ndihmën e parë në urgjencë, u larguan nga spitali.

“Si ankesa kishin marrje mendsh, dobësi të theksuara trupore, dhimbje koke, rëndim në epigastër, pa të vjella shumë, pa të dala diarreike dhe me parametra klinikë të mirë, përveç një tensioni relativisht të ulët. Kur janë paraqitur në urgjencë janë marrë bilanc analizash dhe është dhënë ndihma me perfuzione, me qetësues. Një trajtim i thjeshtë i ndihmës së parë duke pasur parasysh simptomat e tyre. Pasi është dhënë ndihma, në përgjithësi të gjithë kanë filluar duke u përmirësuar, e kanë marrë veten dhe tani pritet përgjigjia e analizave, që në përgjithësi kanë dalë mirë si analiza. Është lajmëruar në fakt edhe Shëndeti Publik për të ardhur të shqyrtojë situatën. Për natyrën nuk mund të shprehemi. Aktualisht nuk ka të shtruar në spital, pasi kanë marrë ndihmën e parë në urgjencë dhe kanë filluar përmirësimet janë larguar nga urgjenca”, thotë mjeku i spitalit.

Edhe drejtori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Lezhë, Besmir Froku, ka përjashtuar çdo mundësi të helmimit nga ushqimi për 12 pushuesit nga Kosova, të cilët kanë qëndruar në një hotel në Shëngjin.

Ai thotë se sapo ka konstatuar rastin, AKU ka hapur një procedurë inspektimi të plotë e të thelluar.

"Ne si AKU jemi vazhdimisht në terren. Ky biznes ishte kontrolluar në mënyrë periodike duke qenë se është subjeket që funksionon gjatë gjithë vitit. Nuk kemi konstatuar asnjëlloj problematike dhe as shkelje, kushtet ishin dhe frigoriferat ruanin parametrat e ftohjes. Ne përjashtojmë çdolloj dyshimi nga helmimi nga ushqimi", tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë