Ngjarje

Peleshi: Si u rrezikua baza e Pashalimanit, vatra kryesore mbetet Karaburuni

Pas normalizimit të situatës së zjarreve në disa zona të vendit, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka thënë se i gjithë fokusi në shuarjen e flakëve është në Karaburun.

Peleshi shtoi se për të shuar flakët, është kërkuar ndihma e disa vendeve fqinje, por një përgjigje pozitive deri tani ka mbërritur nga Holanda.

Pikërisht nga autoritetet e këtij shteti, pritet që shumë shpejt të vijnë helikopterë me kapacitet shumë të lartë për të ndihmuar forcat e armatosura në terren.

“Aktualisht kemi 3 helikopterë. I kemi kërkuar ndihmë Italisë, Turqisë, Çekisë, por Holanda na është përgjigjur në mënyrë shumë bujare. Sot presim që të dërgojnë një grup dhe të flasim si do na mbështesin”, tha Peleshi më tej.

Nga Dukati i Vlorës, ministri pohoi se forcat zjarrikëse dhe ato ushtarake kanë shmangur më të keqen në bazën ushtarake të Pashalimanit. Ai njoftoi se pas mesnatës është rindezur një vatër zjarri në këtë zonë të sigurisë së lartë kombëtare.

“Dy helikopterë kanë punuar edhe natën dhe jemi gdhirë në një situatë të qetë. Ka vetëm vatra të vogla, që po i eliminojmë. Në Vlorë, puna ka qenë e mundimshme, sidomos nata në Pashaliman. Rreth mesnatës ka shpërthyer një zjarr i  madh sipër Pashalimanit. Rreth orës 4 të mëngjesit është shmangur më e keqja. Bëhet fjalë për një bazë ushtarake”, shtoi ai.

Peleshi pranoi se vatra më serioze e zjarrit vijon të mbetet Karaburuni. “Dje kemi shmangur zjarrin nga drejtimi i banesave. Është djegur një sipërfaqe e malit dhe rreziku më i madh duhet që të mos preket Llogaraja”. Peleshi ka shprehur mes të tjerash edhe ngushëllimet për viktimën që humbi jetën si pasojë e zjarrit në Gjirokastër.

Sipas tij, deri më tani janë 6 të arrestuar për zjarrvënie të qëllimshme: “Ia kemi dhënë emrat policisë dhe kam dijeni që janë ndaluar”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë