Ngjarje

HEC-i i Vaut të Dejës “kërcënon” Nënshkodrën, qindra hektarë nën ujë

Intenisteti i reshjeve gjatë orëve të fundit ka rënë ndjeshëm,megjithatë situata nga përmbytjet mbetet problematike sidomos në Vlorë, Gjirokastër, Shkodër, Lezhë dhe Laç.

Në Shkodër zonat Ana e Mqlit, Obot dhe Dajç janë më problematiket edhe për shkak të hapjes së digës nga hidrocentrali i Vaut të Dejës ku aktualisht po shkarkohen mbi 200 metër/kub ujë për sekondë.

Shkarkimi i këtij HEC-i dhe reshjet e vazhdueshme kanë fryrë Bunën që është pak centimetra larg kuotave maksimale të daljes nga shtrati.

Banorët në zonat e përmbytura të Shkodrës bëjnë thirrje për ndihmë urgjente për ushqim dhe zhvendosje të bagëtive. Aktualisht ata thonë se vetë jane furnizuar me ujë të pijshëm dhe ushqime, por kanë problem bagëtitë.

Është ende herët për të folur për dëmet e shkaktuara në bujqësi dhe blegtori në këto zona ndër më prodhueset në vend, por paraprakisht banorët thonë se ato janë të konaiderueshme.

Situata problematike shfaqet edhe në rrethinat e Lezhës. Reshjet kanë shembur çatinë e një pallati të vjetër, fatmirësisht pa shkaktuar lëndime njerëzore. Banorët janë zhvendosur përkohësisht nga banesa.

Në rrethin e Kurbinit problematike janë akset rrugore që lidhin disa fshatra,për shkak të rrëshkitjes së tokës. Forca të policisë rrugore janë stacionuar në zonat problematike për të ndihmuar drejtuesit e mjeteve.

Në Vlorë situata mbetet e rënduar në lagjen "1maji", Çole dhe fshatin fitore. Në disa zona niveli i ujërave është rritur ndjeshëm. Të paktën tre familje janë zhvendosur nga banesat e tyre. Ndërkohë në urën e Mifolit Vjosa duket ende nën kontroll, por paralajmërohet rreziku i daljes së lumit në këtë zonë për shkak se prurjet e reshjeve që kanë rënë nga burimi i tij në Greqi e përgjatë vijës në Shqipëri nuk ka arritur ende pikun.

Në Gjirokastër situata paraqitet më e stabilizuar, ndonëse raportohen probleme qarkullimi në disa rrugë për shkak të rrëshkitjes së tokës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë