Ngjarje

Hashashi, beteja e humbur e policisë. Grupet udhëheqin kultivimin, kthehen informatorët

Policia pretendon se nuk mund t’i krehë dhe as t’i kontrollojë në këmbë të gjitha zonat malore, të cilat janë të paaksesueshme. Inspektorët e pyjeve edhe pse vazhdojnë të paguhen nuk duken asgjëkund. Shpresa ka mbetur tek informatorët që tërhiqen në bashkëpunim nga specialistët e hetimit të krimeve. Sipas burimeve mjaft të rezervuara të gazetës “Si” ndonëse një informator policie nuk paguhet, ata po “sinjalizojnë” policinë për kultivimin e bimës narkotike që ka pushtuar malet dhe ngjan se janë bastioni i fundit që nuk është implikuar nga krimi. Bëhet fjalë për qytetarë që kanë statusin e informatorëve të policisë dhe konsiderohen të besueshëm. Ata janë të pajisur me kartela dhe posedojnë një kod të veçantë të regjistruar në kartotekat e drejtorisë së përgjithshme dhe drejtorive vendore. Dosjen e informatorit e ka vetëm punonjësi i policisë që ka siguruar tërheqjen në bashkëpunim të tij, dhe për të garantuar anonimitetin, shumë pak dinë rreth identitetit të tij.

“Para pak kohësh u tentua të minohej edhe kjo marrëdhënie dhe iu kërkua gojarisht efektivëve që të vinin në dispozicion të eprorëve emrat e informatorëve të tyre, por efektivët kundërshtuan dhe në disa raste ata shkruan emra fiktivë e numra fiktivë për të mos ekspozuar njerëzit që kanë në terren dhe që janë njësh me komunitetin atje”, shtoi një ish-zyrtar policie, i cili pretendon se prej 2013-s statusi i informatorëve të policisë është prekur edhe pse ky dyshim nuk provohet.

Në fillim të 2020 Europol së bashku me Qendrën Europiane për Monitorimin e Drogërave paralajmëroi një rritje të kultivimit të drogës sa kohë agjencitë ligjzbatuese ishin të përqendruara ndaj masave anti-Covid. Në këtë parashikim Shqipëria u përshkrua në atë kohë si një nga vendet që kultivonte më tepër hashash e gjithashtu si tranzitorët më të mëdhenj të lëndës që nga viti në vit. Sikurse tregojnë të dhënat, në Itali tonelatat e sekuestruara vijojnë të shënojnë trend në rritje bazuar në raportet e përvitshme të antidrogës italiane dhe të shërbimeve që vlerësojnë aksionet ndaj grupeve kriminale. Por ndërsa policia shqiptare insiston se po vazhdon me kontrollet e rrepta në zonat malore dhe të vështira, dosjet hetimore ilustrojnë se hashashi ka rrethuar edhe kryeqytetin. Veç asgjësimit të 2 mijë metrave katrorë të mbjella me kanabis, gazeta “Si” po sjell një tjetër dosje hetimore të gjurmuar në fshatin Zall Bastar Tiranë, të sinjalizuar nga informatorët e policisë. Fillimisht forcat policore rezulton të kenë kontrolluar perimetrin që u tregoi informatori i parë dhe kur ata raportuan se zona ishte e pastër, informatori i dytë ka kërkuar rikthim në fshat, pasi hashashi ishte mbjellë në sera që për sytë e fshatit dukeshin sikur brenda tyre mbilleshin perime.

Mes të dyshuarve ndaj të cilëve policia firmosi procesverbal për kultivim droge është edhe shtetasi Ilir Meta, i moshës 43 vjeç dhe tre të afërm të tij nga i njëjti fshat, mes tyre edhe një grua. Sipas policisë së shtetit nga informacionet dyshohej se ata po përgatiteshin të mbillnin disa dynymë me kanabis sativa, pasi kishin ndërtuar sera gjigande. Por të dyshuarit më pas dhanë dëshmi dhe deklarata me pretendimin se ata nuk jetonin prej kohësh në fshat dhe se banesat e braktisura i mbanin për të rritur pula.

Raporti i parë i shërbimit policor flet për krehjen e zonave malore përreth kryeqytetit, që shënohen si të pastra. Policia shkruan në një raport shërbimi për këto rrethana “nga shërbimet e Komisariatit numër 4  pavarësisht terrenit të vështirë dhe të pyllëzuar në njësitë e Zall Bastarit, Shëngjergj dhe Dajt janë ushtruar kontrolle. Nuk u gjet drogë” . Por ndërsa ka munguar konstatimi në terren dhe policët janë kthyer të qetë, informatorët e policisë përcjellin këtë indicie “B. Hajdini, 36 vjeç  nga fshati Mner po ushtron aktivitet të paligjshëm së bashku me persona të tjerë. Ai e ka siguruar farën në  rrethin e Krujës, pasi fshati i tij është kufitar. Ky shtetas ka hapur gropa bosh dhe po bëhet gati t’i mbjellë”. Spiuni i policisë përshkruan se i dyshuari që më pas u vu në shënjestër qarkullonte me një mjet bujqësor pa targa dhe me një kamionçinë, me të cilën transportonte kimikate.

Në raportin tepër sekret thuhet “pas disponimit të këtij informacioni dhe përshkrimit të vendit të supozuar u ngritën grupe kontrolli për të këqyrur vendet ku bëhet fjalë në fshatin Zgur dhe Mner, por nuk u gjet asgjë”.

Siç tregon një burim shumë i sigurt i gazetës “Si”, pas këtij dështimi një informator tjetër jep detaje akoma më të rëndësishme që i afron ekipet policore me vendin ku kultivuesit po bëheshin gati për planin.

“Banorët kanë ndërtuar sera me plastmasë, aty gjenden kubikët e hashashit, në kodër Lucë”.

Nga vëzhgimi në terren i agjentëve më pas policia zbulon se në këtë fshat shumë shtëpi ishin të braktisura dhe se banorët e tyre kthehen në periudhën e pranverës në fshat, mes tyre edhe Ilir Meta, i lindur në Zall Bastar dhe banues në Kamëz.

Informatori 2. shkruan “ai së bashku me B, H,  dhe N. kultivojnë drogë, dy të parët sigurojnë dhe punëtorët në Kamëz, ndërsa droga  rritet me cikël të shkurtër nga 45 ditë në maksimumi 60 ditë”.

Policia tregon për gazetën “Si” se pas dhënies së këtij informacioni të bollshëm, forcat e rendit u kthyen dhe zbuluan dy sera plastmasi, në të cilat ishin të kultivuara 10 mijë kubikë kanabis në të parën dhe 19 mijë rrënjë në të dytën. Gjithashtu evidentohet në procesverbal se Ilir Meta dhe Naim Meta nuk u gjetën në banesë. Por siç përshkruhet më tej “dera ishte e hapur, dritat të ndezura, kishte ushqime të sapo blera e të sapo gatuara. Shtresat e rrobave  për gjumë të shtruara përtokë e të pangritura”.

Qyteti mbjell hashash në fshat...

Por në një raport për vitin 2019 të prokurorit të Përgjithshëm ku i është lënë një seksion i veçantë kultivimit të narkotikëve, se mes atyre që janë identifikuar dhe vendosur para ligjit për kultivim hashashi 64, 93 për qind e tyre e kanë vendbanimin në qytet dhe vetëm 35 për qind e tyre janë banorë në fshat dhe në vendin ku ata konstatohen si kultivues të bimës narkotike. Çuditërisht dhe përkundër çdo deklarate publike të zyrtarëve të policisë, si zonat ku gjatë 2019 është asgjësuar më tepër drogë qëndron në vend të parë zona e Krujës, në vend të dytë Vlora, më pas Shkodra dhe në vend të katërt Gjirokastra. Të gjitha qytetet kanë të evidentuar parcela me hashash  ku në vend të fundit qëndron Pogradeci me një për qind. Sipas vështrimit të organit qendror të akuzës duhen hetime proaktive ndaj grupeve kriminale që udhëheqin kultivimin e kanabisit.

Konkretisht në raportin për kriminalitetit thuhet “me gjithë arritjet dhe raportet dhe rekomandimet e ndërkombëtareve në vështrim institucional kërkohet dhe synohet rritja e mëtejshme e bashkëpunimit me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, për intensifikimin e hetimeve proaktive dhe përdorimit të mjeteve të posaçme të hetimit në funksion të zbulimit dhe goditjes së veprimtarisë si të grupeve kriminale që udhëheqin  kultivimin e kanabisit dhe tranzitimin e kokainës brenda vendit dhe lidhjeve të tyre jashtë vendit”.

Copyright © Gazeta "Si"

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës "Si", në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë