Drejtësia

Harta e re, ‘shkrihen’ 9 gjykata dhe prokurori. Nis sot zbatimi i fazës së dytë

Gazeta Si – Këtë të hënë nis faza e dytë e zbatimit të hartës së re gjyqësore, duke sjellë kështu mbylljen e 9 gjykatave dhe prokurorive të Shkallës së Parë në rrethe.

Gjykatat e Shkallës së Parë që mbyllen, janë ajo e Tropojës, Matit, Kurbinit, Pukës, Krujës , Kavajës, Lushnjës, Përmetit edhe Pogradecit.

Sipas Këshillit të Lartë të Prokurorisë së bashku me to, shkrihen edhe prokuroritë përkatëse të këtyre rretheve gjyqësore, që ka sjellë dërgimin e trupave gjyqësore dhe përfaqësuesve të akuzës në institucionet e reja të drejtësisë.

Konkretisht Gjykata dhe Prokuroria e Tropojës zhvendoset në Kukës, e Matit në Dibër, e Kurbinit në Lezhë, e Pukës në Shkodër, e Krujës në Tiranë, Kavaja i bashkangjitet Gjykatës së Durrësit.

Gjykimet dhe hetimet e çështjeve të Lushnjës kalojnë në Fier, të Përmetit transferohen në Gjirokastër dhe dosjet gjyqësore dhe hetimore penale dhe civile nga Pogradeci në Korçë.

Në çdo prokurori dhe gjykatë të mbyllur do të mbahen hapur sportelet për të depozituar paditë që sidoqoftë më pas delegohen për gjykim dhe hetim në qytetet e mësipërme.

Godinat e gjykatave dhe prokurorive që mbyllen do të qëndrojnë të hapura për depozitimin e padive dhe për çështje të tjera administrative për qytetarët.

Në vend, mbeten 13 gjykata e prokurori të shkallës së parë nga 23 që funksiononin.

Në fazën e parë të hartës së re gjyqësore të zbatuar në Shkurt, u mbullën 6 gjykatat e Apelit, të cilat janë grupuar në gjykatën e apelit të juridiksionit të përgjithshëm

Faza e tretë që do të zbatohet në korrik, parashikon shkrirjen e gjykatave administrative në vetëm dy të tilla, me seli në Tiranë dhe Lushnje!

Harta e re gjyqësore parashikon 16 gjykata në total, 13 të Shkallës së Parë, 1 Gjykatë Apeli dhe 2 gjykata Administrative.

Reforma u argumentua si nevojë për t’u ofruar qytetarëve shërbim të shpejtë dhe efikas, por shkrirja e gjykatave të rrethe u kundërshtua për bojkot disa javor nga avokatët, sipas të cilëve harta e re gjyqësore shton kostot për të marrë drejtësi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë