Mode

Harry Styles lançon markën ‘Pleasing’

Harry Styles ka lançuar zyrtarisht markën e tij të bukurisë të quajtur "Pleasing".

Styles postoi një foto promovuese në Instagramin e tij duke lançuar markën më 15 nëntor, me mbishkrimin: "Gjeni kënaqësinë tuaj".

Pleasing është një linjë e produkteve të thonjve dhe lëkurës, duke përfshirë manikyrin Perfect Pearl me ngjyrë të bardhë për 16 paund, një komplet manikyrash për 50 paund, Pena Pleasing e cila përfshin një trajtim për sytë dhe buzët dhe ‘The Pearlescent Illuminating Serum’ për 27 paund.

27-vjeçari tha se Pleasing është një ide që ai e ka “për një kohë të gjatë".

“Filloi me manikyrin ku lindi gjithçka. Unë sa herë shoh një ngjyrë apo një lule mendoj direkt “Dua ta vendos këtë në thonjtë e mi. Ishte një projekt i vogël argëtues, por gjatë pandemisë dhe kur përfundimisht e emërtuam Pleasing, doli që është më tepër se sa manikyr për thonjtë”, tha Styles.

Ai tha se produktet e Pleasing janë vegane dhe pa gluten.

“Ne kërkojmë që të gjithë partnerët në të gjithë zinxhirin tonë të furnizimit të ofrojnë transparencë në politikat e tyre të pajtueshmërisë sociale dhe do të ketë një fokus të madh tek çdo produkt nga të gjithë ata që ndihmojnë në sjelljen e produkteve Pleasing në jetë”, thuhet në një deklaratë në faqen e internetit të Pleasing.

“Ne gjithashtu e kuptojmë se po sjellim më shumë produkte në botë, kështu që nëse do ta bëjmë këtë, atëherë duhet ta bëjmë në mënyrën e duhur”, tha Styles.

Ai shtoi se është “i bekuar” që ka fansa mbështetës që “kanë krijuar këtë hapësirë ​​të sigurt njëri-tjetrit”.

Për momentin ka një sasi të reduktuar të produkteve por gjithsesi reagimi i njerëzve ka qenë shumë pozitiv.

"A mund të flasim dhe për faktin se Pleasing nga Harry Styles është gjithashtu estetikisht e këndshme?", shkroi një person në faqen e markës.

Një tjetër tha: "Imagjinoni të jeni në gjendje të lyeni thonjtë me një manikyr të krijuar nga Harry, dhe kur njerëzit të komplimentojnë ose pyesin për manikyrin, ju mund të thoni "Oh faleminderit është nga Harry Styles".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë