Mode

Harrojeni Victoria’s Secret, Rihanna eklipsoi Javën e Modës

Ecja në pasarelë është zhdukur, ose të paktën ky është mesazhi i Javës së Modës në New York këtë sezon, ku shfaqjet duket se e kanë vjedhur shkëndijën e ecjes tradicionale në pasarelë. Megjithëse kur flasim për performancën, asnjë stilist as nuk mund ti afrohet konkurrencës me Rihannan. Thjesht ajo është lindur për ta bërë këtë gjë. Në shfaqjen e markës së saj Savage x Fenty në Brooklyn, ajo i kujtoi edhe njëherë botës se çfarë është e aftë të bëjë.

Rihanna duke udhëhequr modelet

Thashethemet se ajo do performonte një këngë të re nga albumi i saj i ri dolën se nuk ishin të vërteta, në fakt ishte këngëtarja Halsey ajo që performoi këngën e saj “Graveyard”. Megjithatë, Rihanna nuk na zhgënjeu. Me një skenë që dukej se përcillte si madhështinë e një Koloseu Romak ashtu edhe elegancën e një Kopshti Maroken, shfaqja ishte epike. Dritat u ndezën dhe dukeshin si një diell në horizont, duke ndriçuar mbi kërcimtaret të cilat ishin veshur të gjitha me të zeza dhe qëndronin si statuja heroike me në qendër Rihanna-n. Duke mbajtur veshur një palë taka të larta, një bluzë rrjetë që i nxirrte në pah trupin dhe një fund të zi velet, me diamante që shkëlqenin në duart e saj, këngëtarja nisi shfaqjen me një performancë kërcimi që elektrizoi audiencën.

Radha e artistëve të tjerë që performuan ishte befasuese dhe përfshiu edhe këngëtarë hip-hopi si Migos, DJ Khaled, A$AP Ferg dhe reperen më të re Tierra Whack e cila provoi se ishte ylli muzikor i mbrëmjes. Numri i yjeve të modës ishte po aq i madh dhe ato dolën jashtë njëra pas tjetrës. Gigi Hadid ishte në krye dhe mbante veshur të brendshme të zeza dhe një vello të zezë deri në fund të këmbëve. Motra e saj Bella doli pas saj duke ecur lehtësisht nëpër pasarelë e veshur me një bust i cili kishte monedha të arta rreth belit. Cara Delevigne e preku skenën gjithashtu, ajo kishte veshur një trupore në ngjyrë limoni jeshil duke tundur një shkop në dorën e saj dhe kërcimtaret lëviznin nën urdhrat e saj.

Modelja Cara Delevigne

Rihanna vazhdonte ende të shkëlqente edhe orë pas shfaqjes me fustanin e saj në ngjyrë mente kur u pa në festën pas sfilatës. “Uou, mund ta kuptoni sa e emocionuar jam?” tha ajo duke rrezatuar lumturi.

Rihanna në festën pas sfilatës
 

Ajo tha se momenti që e bëri atë të ndihej më krenare se kurrë ishte kur modelet e ndryshme të Savage x Fenty ishin në qendër të vëmendjes. Rihanna foli për dëshirën e saj për të krijuar një hapësirë të sigurt për çdo njeri me anë të markës, pa patur rëndësi forma, përmasa, raca apo gjinia. Për Rihannan nocioni i përfshirjes është instiktiv, është mënyra se si ajo e ka parë botën gjithmonë dhe është ajo çka e ka vënë atë në lëvizje si një ikonë muzike dhe stili dhe tani edhe si një stiliste.

Modelet e Savage x Fenty

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë