Teater

Hapet Teatri në Universitetin e Arteve

Salla e teatrit në Universitetin e Arteve në Tiranë çeli dyert për studentët, artistët dhe dashamirësit e artit, pas restaurimit të saj.

Të parët, që prekën ambientin e rikonstruktuar, ishin artistët e mëdhenj të skenës, Timo Flloko e Luiza Xhuvani.

I pranishëm në ceremoni ishte edhe kryeministri Edi Rama që, si ish-student dhe ish-pedagog i Universitetit të Arteve, e quajti përmbushje të një amaneti të historisë.

Është në një kuptim të drejtpërdrejtë amaneti i historisë së kësaj salle, por i parë pak më ndryshe. Jo si një histori që ka përfunduar, por si një histori që vazhdon dhe jo si një histori emrash, por si historia e një hapësire që ka qenë qysh në krye të herës hapësira e pasionit, hapësira e ëndrrave, apo vetë atyre që ngjiteshin në skenë jo për të luajtur teatër, por për të folur me të tjerët mesazhin e të ardhmes, mesazhin e shpresës tek e reja, mesazhin e forcës për të tejkaluar muret dhe për të tejkaluar edhe shumë e shumë pengesa për të cilat unë nuk do të flas sot. Shqipëria të vazhdojë të jetë gjithnjë krenare sa herë që të bëhet fjalë për njerëz që janë ngjitur në këtë skenë apo që kanë patur lidhje me këtë sallë apo me këtë vend të shenjtë të shpresës dhe të pasionit”, tha Rama.

Restaurimi i sallës së shfaqjeve tel ‘Artet’ u bë në bashkëpunim me specialistë nga Universiteti i Firences, përfaqësues të Kooperacionit Italian, TAP, Universitetit të Arteve dhe Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, duke lënë të paprekur projektin fillestar i saj, një stoli e arkitekturës e viteve ’30-’40.

Universiteti i Arteve është ndërtuar në vitin 1939 nga arkitekti italian, Gherardio Bosio. Me përjashtim të disa ndërhyrjeve para dy dekadash, kjo është ndërhyrja e parë restauruese.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë