Qeveria mori më 4 prill vendimin për ngritjen e komisionit të vlerësimit dhe negociatave të kontratës për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar. Vendimi nuk u publikua në faqen zyrtare të Kryeministrisë, bashkë me VKM-të e tjera që u morën atë ditë, por më 3 qershor ai u zbardh në Fletoren Zyrtare.
VKM-ja përcakton se komisioni që do të negociojë me kompaninë private që do të shpallet fituese në garën për ndërtimin e teatrit të ri, sipas ligjit të posaçëm të miratuar në 2018, do të kryesohet nga zv.kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe do të ketë në përbërje gjashtë anëtarë. Anëtarët do të jenë një përfaqësues nga Ministria e Kulturës, një nga ajo e Financave, një përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, një përfaqësues nga Avokatura e Shtetit dhe në fund një përfaqësues nga aktorët.
Vendimi përcakton se hyn në fuqi në momentin që botohet në Fletoren Zyrtare. Botimi ka ndodhur më 3 qershor dhe brenda pesë ditëve, sipas VKM-së, titullarët e institucioneve të mësipërme duhet të dërgojnë pranë Bashkisë së Tiranës emrat e anëtarëve me të cilët do të përfaqësohen në këtë Komision.
Brenda pesë ditëve nga dërgimi i emrave thirret mbledhja e parë. Në këtë mbledhje kryetari i Komisionit, pra nënkryetari i Bashkisë së Tiranës cakton rolin e Sekretariatit, që gjithashtu do të ngrihet nga tre përfaqësues të Bashkisë.
Në dorë të këtij sekretariati do të jetë përcaktimi i procedurave dhe kushteve të kontratës, por duke ndjekur vendimmarrjen e Komisionit, që do të mbajë vulën e Bashkisë së Tiranës. Në mbledhjen e parë përcaktohet gjithashtu edhe thirrja e hapur për kompanitë private që janë të interesuara për ndërtimin e teatrit të ri dhe realizimin e projektit të zhvillimit të zonës përreth teatrit aktual, përfshirë këtu projektimin.
Mes kritereve që duhet të plotësohen, një peshë të madhe do të luajë sasia e pronës private që kompania zotëron vetë, ose përmes një marrëveshjeje me pronarët e pronës private.
“Pala private, në shprehjen e interesit duhet të vërtetojë se është pronare e truallit, ose zotëron marrëveshjet përkatëse me pronarët privatë, minimumi 40 për qind e sipërfaqes totale të pronës private që preket nga projekti i zhvillimit të zonës dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar. Projekti do të vlerësohet nga komisioni mbi bazën e sipërfaqeve të vëna në dispozicion nga shteti dhe të marrëveshjeve të nënshkruara me subjektet pronarë privatë”, përcakton VKM-ja.
Aneksi 1 i vendimit të Këshillit të Ministrave përcakton gjithashtu edhe udhëzimet mbi kriteret e vlerësimit të ofertave, mes të cilave është kushti që sipërfaqja totale e Teatrit të Ri Kombëtar duhet të jetë jo më pak se 8000 m2 ndërtim, ku hapësira për shfaqjet të përbëhet nga 3 salla me të paktën 600 vende, dhe dy salla eksperimentale me kapacitet minimal 100 vende.
A favorizohet kompania “Fusha”?
Këto dy kushte të përcaktuara edhe sipas ligjit të posaçëm për ndërtimin e teatrit të ri, të çojnë tek propozimi i pakërkuar i kompanisë “Fusha”, që ndezi këtë debat. Sipas propozimit të kompanisë “Fusha”, 40 për qind e tokës do të jetë “vetëm për teatrin e ri kombëtar”, ndërsa 60 për qind për “ndërtimet me karakter komercial”. Projekti parashikonte ndërtimin e dy kateve nëntokësore në të gjithë sipërfaqen e tokës për realizimin e 20.400 metrave katrorë parking. Përveç parkingut, kompania planifikon ndërtimin e 68 mijë metrave katrorë mbi tokë.
Pra, në total bëhet fjalë për rreth 90 mijë metra/katrorë sipërfaqe ndërtimi. Kompania propozoi se 40 për qind e tokës do të jetë për teatrin, por kjo jo domosdoshmërisht përkthehet në 40 për qind të ndërtimit për këtë teatër. 40 për qind i 90 mijë metra katrorë ndërtim përafërsisht është rreth 35 mijë metra katrorë. Kjo tejkalon me më shumë se 4-fish kushtin e 8 mijë metrave katrorë të përcaktuar në VKM vetëm për teatrin e ri.
Në propozimin fillestar, kompania “Fusha” fitonte të drejtën e ndërtimit pa garë, por pas rikthimit për shqyrtim nga ana e Presidentit të Republikës dhe deklaratës së Komisionit Europian, që kritikoi mungesën e garës në këtë tender duke shkelur Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, mazhoranca e ndryshoi dhe hapi garën për kompanitë e tjera.
Tani, kompania “Fusha” e ka gati ofertën e saj. Kushtin e 8 mijë metrave katrorë për teatrin e ri (propozim i kësaj kompanie) e plotëson, ndërkohë që ka edhe një kusht tjetër: ai që lidhet me zotërimin e të paktën 40 për qind të pronës private.
Zona e propozuar për zhvillim në propozimin e kësaj kompanie përbëhet nga 8465 metra katrorë tokë e mbetur publike dhe 1303 metra katrorë tokë private. Vetë kompania “Fusha” zotëron 298.1 metra katrorë truall në krah të truallit të Teatrit ekzistues, ose rreth 23 për qind të sipërfaqes totale të pronës private.
Pronësia mbi këtë pronë nuk plotëson kriterin e zotërimit të 40 për qind të pronës private, siç kërkohet në VKM, por i jep kompanisë “Fusha” një avantazh të fortë në garë, në krahasim me kompanitë e tjera që mund të shfaqin interes, ndërkohë që pjesën prej 17 përqindësh të minimumit të pronës private që i nevojitet, mund ta realizojë përmes marrëveshjeve me pronarët e tjerë.
Sa u takon licencave dhe certifikimeve që nevojiten, kompania “Fusha” i plotëson kriteret, madje edhe në objektin e veprimtarisë së saj, është shtuar prej kohësh zëri “punime restaurimi, restaurim i ndërtesave monument kulture, punime restaurimi në vepra arkeologjike”.
Tani mbetet për t’u parë nëse kjo kompani do të marrë pjesë në garë apo jo dhe nëse po, a do të paraqitet me të njëjtin projekt, sipas të cilit, Qeveria thotë se ndërtimi i teatrit të ri kushton 30 milionë euro, para që qeveria vetë deklaron se nuk i ka, ndaj po i drejtohet partneriteti publik-privat.
Artistët kundër: Përplasemi edhe fizikisht me Qeverinë
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, që ka udhëhequr protesën kundër shembjes së teatrit ekzistues thanë këtë të martë se “do ta mbrojë godinën edhe duke u përballur fizikisht me Qeverinë”.
Aleanca akuzon kryeministrin Edi Rama dhe kryebashkiakun Erion Veliaj se “i kanë shpallur luftë jo vetëm Teatrit Kombëtar dhe interesit publik, por Kushtetutës dhe sundimit të ligjit në Shqipëri.”
“Edi Rama dhe Erion Veliaj i kanë shpallur luftën përfundimtare jo vetëm Teatrit Kombëtar dhe interesit publik, por Kushtetutës dhe sundimit të ligjit në Shqipëri. Nuk mjafton fakti që “ligj special”, i miratuar në fund të vitit të shkuar mbas dy refuzimesh nga ana e Presidentit dhe pas kritikave nga ana e Komisionit Europian, është tërësisht anti-Kushtetues. Nuk mjafton fakti që në VKM-në e botuar dje qeveria ka përfshirë paturpësisht të drejtën të për të shpronësuar prona të tjera private ngjitur me Teatrin, në përftim të një kompanie tjetër private. Nuk mjafton fakti që VKM-ja duhet të ishte botuar në fund të dhjetorit 2018, duke e bërë tashmë të pavlefshme ngritjen e komisionit. Ngritja e këtij komisioni tregon edhe njëherë dëshirën patologjike që kanë çifti Rama-Veliaj për të grabitur çdo aset publik në këtë vend, sidomos tani që nuk i kontrollon dot kush!”, thuhet në deklaratë.
Grupi i artistëve që proteston prej 18 muajsh e konsideron projektin për Teatrin e ri një përpjekje për të grabitur në çdo mënyrë truallin publik dhe privat për t’ua falur atë klientëve të pushtetit duke shkelur ç do ligj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.