Filma

Hapet gara për kandidaturën e Shqipërisë për çmimet ‘Oscar’, aplikimet deri më 2 tetor

Hapet gara për kandidaturën e Shqipërisë për çmimet “Oscar”.

Filmat që do të jenë në garë për çmimet “Oscar” duhet të kenë bërë premierën në vendin tonë jo më herët se 1 dhjetor 2022 dhe jo më vonë se 31 tetor 2023.

Kjo bëhet me dije nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, që hapi thirrjen për kandidaturën e Shqipërisë në kategorinë International Feature Film, për edicionin e 96-të të çmimeve “Oscar”.

Qendra Kombëtare e Kinematografisë fton shtëpitë filmike shqiptare të paraqesin veprat e tyre për marrje në konsideratë, si kandidatura shqiptare, në kategorinë International Feature Film, për edicionin e 96-të të çmimeve “Oscar”, që do të akordohen nga The Academy of Motion Picture Arts and Sciences më 10 mars 2024, ndërsa ka bërë me dije dhe kriteret kryesore për pjesëmarrje në këtë kategori.

"Në këtë kategori, mund të marrin pjesë filma artistikë, dokumentarë dhe vizatimorë. 1. Filmi duhet të jenë i gjatë mbi 40 minuta. 2. Filmi duhet do të ketë bërë premierën në Shqipëri jo më herët se 1 dhjetor 2022 dhe jo më vonë se 31 tetor 2023. 3. Filmi duhet të jetë shfaqur ose të shfaqet komercialisht në kinema, në Shqipëri, brenda datave të mësipërme, për të paktën 7 ditë rresht. 4. Filmi duhet të përmbajë të paktën 50 për qind dialog në gjuhën shqipe. 5. Filmi duhet të jetë bërë me të paktën 50 për qind, aktorë dhe staf shqiptar”, thuhet në njoftimin zyrtar të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë.

Afati për materialet

Afati për materialet që dërgohen nga producenti i filmit është ora 17:00, e hënë, 2 tetor, 2023. Lista e materialeve që dërgohen nga producenti i filmit që do përzgjidhet është: Formulari i aplikimit, i plotësuar online; kopje DCP të filmit ose link me versionin digjital për shfaqje; listë e plotë e aktorëve dhe listë e plotë e krediteve; biografi dhe fotografi e regjisorit; një kuadër nga filmi, i përcaktuar si imazh për përfaqësimin e filmit online, etj.

Po ashtu sipas QKK në materialet që dërgohen duhet të jetë dhe një poster i përdorur për shfaqjen e filmit në kinema, (për arkiv) dhe provë mbi shfaqjen e filmit në kinema (siç specifikohet në rregullat e mësipërme), duke përfshirë edhe shfaqje me qëllim reklamues, (por jo vetëm).

Po sipas QKK, produksionet e interesuara shqiptare, duhet të dërgojnë brenda datës 11 shtator 2023 në adresat zyrtare që janë publikuar në faqen e saj kërkesën për t’u marrë në konsideratë si kandidatura shqiptare në kategorinë International Feature Film në edicionin e 96-të të çmimeve “Oscar”, deklaratë ku të specifikohet përmbushja e kritereve për konkurrim, etj.

Filmi “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” ( A cup of coffee and new shoes on) përfaqësoi Shqipërinë në çmimet “Oscar 2023”.

Më herët sipas Qendrës Kombëtare të Kinematografisë ky film u zgjodh për të qenë në garë në kategorinë “Filmi më i mirë i huaj”, në edicionin e 95-të të Academy of Motion Picture Arts and Sciences (çmimet Oscar).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë