Ngjarje

Hapja e kufijve dynd shqiptarët për punë sezonale në Greqi

Pas tre muajsh izolimi për shkak të pandemisë së koronavirusit, Shqipëria ka hapur sot kufijtë me vendet fqinje.

Që në orët e para të mëngjesit, shume shqiptarë janë nisur drejt Greqisë, duke u regjistruar në pikat kufitare të Kakavijës dhe Kapshticës. Edhe pse Greqia i hap kufijtë për qytetarët nga Shqipëria dhe një sërë vendesh europiane më 15 qershor, ajo ka hapur sot dyert për punëtorët sezonal nga vendi ynë.

 Duke folur për mediat, disa prej tyre thanë se pamundësia për tu punësuar në vendin tonë i ka detyruar të gjejnë punë në Greqi.“Punojmë në ndërtim, çfarë pune të gjejmë. Na leverdis të shkojmë të punojmë në Greqi edhe pse duhet të qëndrojmë në karantinë. Kontrolle shëndetësore në kufi nuk kemi parë”, thotë një nga qytetarët për “ABC News”.

Të gjithë ata që hyjnë në vendin fqinj, do t’i nënshtrohen karantinës për 14 ditë dhe nëse është e nevojshme testeve të mëtejshme mjekësore. Autoritetet dhe punëdhënësit grek po organizojnë vetë transportin e emigrantëve, marrjen përsipër të kryerjes së testeve anti-Covid19 për rastet e dyshuara dhe procedura të thjeshtuara në dogana, ku hyrja dhe leja sezonale për të punuar në bujqësi të jepet drejtpërdrejt. 

Edhe pse po lejojnë hyrje e punëtorëve sezonalë, Greqia u ka vënë përgjatë javëve të fundit gjoba të majme të gjithë shqiptarëve që kanë kaluar afatin 90 ditor, edhe pse ata u bllokuan në vendin fqnj për shkak të pandemisë, dhe mbylljes së kufijve nga ana e shtetit shqiptar. Edhe pse duket se nuk kanë arritur një marrëveshje për këtë cështje, Shqipëria dhe Greqia arritën zyrtarisht në maj marrëveshjen për punësimin sezonal në sektorin e bujqësisë, e cila parashikon punësimin sezonal të  deri 10, 000 shtetasve shqiptarë.

Kështu, prej ditës së sotme deri në 20 qershor, punëdhënësit grekë që janë të interesuar për të duhet të marrim përsipër karantinimin e punëtorëve sezonalë shqiptarë. Për herë të parë, i gjithë procesi  i pajisjes me dokumentat e nevojshme është falas dhe nuk do të jetë e nevojshme pajisja me vizë pune.

Ministri grek i Agrokulturës, Makis Voridis deklaroi në maj se pjesa dërrmuese e punonjësve të kualifikuar në bujqësi mbërrijnë nga Shqipëria dhe një zgjidhje e shpejtë e këtij problemi kërkohet me ngut nga fermerët.

Voridis thotë se koha nuk pret dhe nëse nuk plotësohen nevojat e minimale për krah pune të fermerëve grek brenda 10 ditëve të para të qershorit, ekonomia vendase do të humbasë miliona euro të ardhura nga eksporti i munguar i fruta-perimeve.

Voridis theksoi se nga ana tjetër, Greqia do të sigurohet që emigrantëve t’u sigurohen të gjitha masat mbrojtëse shëndetësore.  Qeveria greke thotë se po konsultohet me fermerët në mënyrë që punëtorët nga Shqipëria të njoftohen paraprakisht, në mënyrë që të hyjnë në mënyrë në mënyrë të kontrolluar dhe të sigurt.

Zyrtarët greke kanë bërë të ditur se një nga planet është që punëtorët shqiptarë të qëndrojnë në karantinë në hotele dhe më pas t’i nënshtrohen një testi për Covid-19.

“Shqiptarët do të karantinohen për një kohë, e me pas do t’i nënshtrohen një testi, pasi të rezultojnë negative do të dalin në fusha. Prodhuesit greke  e pranojnë këtë zgjidhje,”, thotë ministri grek i Bujqësisë.

Alarmin mbi mungesën e fuqisë punëtore e ngritën në qeverinë greke shoqatat e agrokulturës, që paralajmëruan se nëse Shqipëria nuk hap kufijtë, mijëra hektarë me fruta sezonale dhe mijëra hektarë me perime do të kalben nëpër ara, duke i shkaktuar vendit një dëm të madh financiar.

Sipas këtyre shoqatave, ky treg ka nevojë për të paktën 50 mijë punonjës që të shpëtohet. Greqia është një ndër eksportueset më të mëdha në vendet e tjera të Bashkimit Europian të fruta-perimeve.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë