Nga Gazeta Si- Në QSUT janë hapur dy klasa mësimore me teknologji të avancuar për fëmijët e shtruar në Spitalin Pediatrik. Sipas ministres së Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, fëmijët do të kenë mundësi të ndjekin mësimin përmes teknologjisë dhe aktiviteteve edukative, duke përfshirë edhe mësimin sipas kurrikulës shkollore dhe aktivitete argëtuese si lexim, muzikë dhe art. Në to janë vendosur katër mësues të sistemit arsimor dhe një mësuese e përhershme, e ciklit fillor.
Për fëmijët që e kanë të pamundur lëvizjet nga shtretërit, do të mundësohen tableta, smartphone dhe mjete didaktike të krijuara posaçërisht për ta. Krahas mësimit, do të ofrohen aktivitete që lidhen me leximin, fotografinë, muzikën etj.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, tha se në klasat mësimore për fëmijët në Spitalin Pediatrik, janë shtuar katër mësues dhe do të realizohet mësimi përmes teknologjisë më të avancuar, por edhe duke ju referuar kurrikulës shkollore dhe do jetë stafi mjekësor që do të identifikojë fëmijët që mund të marrin pjesë në këto klasa.
“Të dyja klasat janë fuknsionale, do të ofrojnë mësim, por edhe argëtim për fëmijët që trajtohen në këtë spital.”, tha Manastirliu.
Ky investim është rezultat i marrëveshjes tripalëshe nënshkruar më herët nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu dhe kreun e Fondacionit SASA Setton, Robert Singer për krijimin e klasave mësimore në Spitalin Pediatrik në QSUT.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.