Libra

Han Kang: Frymëzimi që vjen nga ëndrra

Han Kang e nisi karrierën e saj në vitin 1993 si poete, por që atëherë ka shkruar kryesisht romane dhe tregime të shkurtra. Në veprën e saj Kang  përballet me traumat historike dhe me rregulla të padukshme, duke zbuluar në secilën prej tyre brishtësinë e jetës njerëzore. Frymëzimi për romanin më të  ri “ Ne nuk ndahemi”  të fitueses së Çmimit Nobel, Han Kang, i erdhi nga  një ëndërr. Ajo thotë se pa trungjet e zeza të pemëve në një fushë, ku binte borë.

“Më ngjanin si trupa të prerë , krahë dhe këmbë të këputura  dhe mund të shihja kodrat e varrimit, më shumë se dhjetëra mijëra prej tyre, pas të gjithë këtyre trungjeve të zinj të pemëve të vdekura”

Dhe ashtu si kjo pamje e saj e frikshme, romani “Ne Nuk Ndahemi” është përndjekës dhe ëndërror, duke sjellë dhimbjen e  historive  koreane. Romani ndjek rrëfimtaren, Kyungha. Ndërsa një stuhi bore mbulon ishullin e saj dhe i turbullon mendjen , ajo merr një kërkesë urgjente për të shpëtuar zogun e bardhë të shoqes së saj të dashur Amas,e cila  ndodhet shumë larg nga shtëpia. Ajo është e plagosur. Jeton në Ishullin “Jeju”, në një fshat shumë të largët, por për shkak të plagës  është e shtruar në spital në Seul.

Ndërsa rrëfimi përparon, bëhemi të vetëdijshëm se në zemër të tij është një masakër që ndodhi në vitin 1948 . Masakra në Ishullin Jeju. Mund të na tregoni më shumë rreth saj?

Pas çlirimit nga kolonizimi japonez në vitin 1945, SHBA dhe Bashkimi Sovjetik ndanë Gadishullin Korean në dy pjesë. Në pjesën jugore, në vitin 1948, u mbajtën zgjedhje të veçanta për formimin e qeverisë. Por njerëzit në Jeju nuk e pranonin këtë ide. Ata donin një vend të bashkuar, jo të ndarë. Prandaj, bojkotuan zgjedhjet. Për shkak të kësaj, Jeju u etiketua si “ishull komunist”. Masakra ndodhi atë dimër ku  u vranë 30,000 civilë. Kjo ngjarje ka qenë një temë tabu për shumë kohë dhe një pjesë e fshehur e historisë së Koresë së Jugut.

A fillon Kyungha të shohë ndikimin që kjo masakër ka pasur në jetën e saj?

Po. Kyungha ka shkruar një libër për masakrën që ndodhi në vitin 1980 në Gëangju. Për shkak se është përballur me errësirën e njerëzimit për një kohë të gjatë, ajo vuan nga makthet dhe tani po përballet me dëshpërimin e saj personal. Por ajo duhet të shpëtojë zogun e shoqes së saj më të ngushtë, ndaj rrezikon jetën e saj për të shkuar në një kasolle në errësirë dhe nën një stuhi të rëndë bore. Ky roman trajton një temë të rëndë si masakra, por unë doja të përfshija edhe elemente zbutës  si flokët e borës, zogu dhe pendët e tij, hijet dhe flaka pa peshë.

Në këtë roman ka shumë borë, apo jo?

Po. Kam menduar shumë për borën gjatë shkrimit të këtij libri. Ajo bie midis qiellit dhe tokës, duke i lidhur të dyja. Bie midis të gjallëve dhe të vdekurve, midis dritës dhe errësirës, midis heshtjes dhe kujtimeve. Kam reflektuar shumë mbi këto lidhje. Ka një qarkullim të rrymave të detit, të ujit dhe ajrit. Kjo tregon se ne të gjithë jemi të lidhur në këtë Tokë. Kështu që e kisha këtë imazh të borës në mendje, dhe doja që bora të binte nga fillimi deri në fund të romanit, madje doja që edhe personazhet e mi të hynin në ëndrrën e borës.

Kam lexuar se kur ishit 12 vjeçe, mësuat për një tjetër masakër në historinë koreane.

Po. Kur isha 12 vjeçe, kishin kaluar dy ose gati tre vjet nga masakra në Gëangju që ndodhi në vitin 1980. Por e vërteta ishte fshehur për shkak të censurës së rreptë të diktaturës ushtarake. Kishte një album me fotografi që qarkullonte fshehurazi, i përgatitur nga familjarët e viktimave dhe të mbijetuarit. Ky album ndodhej në një raft librash në shtëpi, por nuk mund të lexoja titullin sepse prindërit nuk donin që fëmijët të ndikoheshin.

Pashë fotografi të njerëzve të vrarë. Ishin prova të dhunës njerëzore, dhe unë e përjetova si një tronditje për natyrën njerëzore, jo si një çështje politike. Megjithatë, kishte edhe prova të dinjitetit njerëzor, sepse kishte njerëz që qëndronin kundër dhunës, njerëz që donin të dhuronin gjakun e tyre pavarësisht rrezikut. Ishte një pyetje shumë e vështirë për njerëzimin.

Burimi: Npr.org


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë