Treg

Halloween, një festë tërësisht komerciale dhe aspak shqiptare

Sabina Veizaj – Një “zanat” i “vjedhur” në Maqedoni ku edhe merr lëndën e parë, e ka ndihmuar të fitojë të ardhura të kënaqshme në një javë të vetme në vit prej 18 vitesh.

Ai gdhend kunguj të portokajtë të formave të ndryshme, u vendos një qiri në brendësi të trupit dhe prej gjashtë vitesh (destinacioni i ndryshuar) i tregton ato mbi një mur ndanë Rrugës “Sami Frashëri”, në Tiranë.

Ardian Garunji mban mes buzëve një cigare dhe e thith fort nga sikleti.

“Kam 18 vjet që merrem me këtë punë, por si këtë vit, nuk ka qenë kurrë kaq dobët”, më tregon ai tek shkoj e takoj dy net përpara festës së Halloween, të cilën shqiptarët kanë gati 20 vjet që e kanë adoptuar.

Ardiani është tregtar fruta-perimesh dhe gjatë javës përpara festës së Halloween, ai merret vetëm me gdhendien dhe shitjen e kungujve dekorativë.

“I kam parë  në  Maqedoni dhe kam mësuar përmes internetit”- më  sqaron Ardiani.

Kungujt variojnë nga 500-3000 lekë sipas madhësive.

Ndërsa një vit më parë në 3-4 ditët e para Ardiani shiste 500 kunguj dekorativë, këtë vit ai ka shitur veç 50 të tillë.

“Klientë t e mi janë të githa grupmoshat që festojnë Halloween dhe dekorojnë shtëpitë e tyre”, thotë Ardiani.

Tek e pyes se pse nuk është lidhur me ndonjë lokal që të shesë me shumicë, më thotë se nuk i leverdis pasi i kërkojnë me çmim shumë të ulët.

Mendohet që Halloween e ka origjinën prej festimeve në ishujt britanikë keltë (Pagan) të Samhain. Kjo daton në shekullin e 5 përpara erës sonë. Është besuar që shpirtrat u ringjallën nga vdekja dhe u përzien me të gjallët në këtë ditë. Keltët lanë ushqime në dyert e shtëpive të tyre për të inkurajuar shpirtrat e mirë të vinin dhe visheshin me maska për të trembur shpirtrat e këqinj. Disa historianë besojnë se romakët që pushtuan Anglinë i shtuan disa nga traditat e tyre në festimin e Samhainit; të tilla si festimi i fundit i korrjes dhe nderimi i të vdekurve; të tjerë thonë se romakët kurrë nuk i pushtuan dot keltët dhe nuk kishte asnjë përzierje të kulturave.

Emri modern, Halloween vjen nga “Mbrëmja e Të Gjithëve”, ose në zhargonin e tyre “Të Gjithë Hallow ‘s Even”, në prag të Ditës së Gjithë Shenjtorëve. “Hallow ” është një fjalë e vjetër angleze për “personin e shenjtë”, dhe Dita e të Gjithë Shenjtorëve është vetëm një emër tjetër për Ditën e Gjithë Shenjtorëve, përfundimisht u shkurtua te “Hallow e’en” dhe më pas “Halloween”.

Amerika qe vendi i parë që e komerçalizoi këtë festë duke ndihmuar ekonominë dhe të dhënat e statista.com tregojnë se që prej 2005-ës deri në 2017-ën të ardhurat nga kjo festë janë rritur me 5, 7 mld dollarë.

Edhe pse nuk kemi të dhëna se sa shqiptarët shpenzojnë për Halloween, Qendrat Tregtare dhe dyqane të ndryshme tregtojnë veshje, maska, dekorime, etj me motivet e filozofisë së kësaj feste. Gjithashtu edhe baret organizojnë festë të dedikuar.

Bjorni është një fëmijë 4-vjeçar dhe tezja e tij tregon se deri më tani, ai ka 5 kostume për Halloween me heronjtë e tij të preferuar, që nga Spiderman, Capitan America, Batman, Superman etj dhe është në kërkim të kostumit me Iron Man. Madje sot ai ka kërkuar edhe shportën me të cilën do të trokasë në dyert e fqinjve për të mbledhur karamele.

Një kostum për fëmijë kushton 1000-1600 lekë, kurse shporta 400 lekë .

Anxhela është studente e vitit të fundit tek Instituti i Modës Sipam AB. Ajo më tregon se çdo vit festojnë Halloween në mënyra të ndryshme, përmes sfilatave, dekorimit të mjedisve të shkollës etj. “Ne kemi shpenzuar çdo vit më shumë se 2000 lekë për person për Halloween. Vjet ka qenë një festë ndryshe me përmasa më të mëdha sepse kishim 20-vjetorin e shkollës”, tregon Anxhela.

Të shumtë janë lokalet në Tiranë që do të organizojnë festë të dedikuar për Halloween.

“Ndez e Fikun” e organizon për herë të parë Halloween sepse ka pak muaj që ka nisur aktivitetin. Duke qenë se është një lokal shumë i frekuentuar, edhe për këtë natë pret shumë  klientë .

Aldo i “Noa Bar” më thotë se në zinxhirin e lokaleve që ka, i fundit në radhë është konceptuar për të rinjtë dhe këtë vit po organizon për herë të parë festën e Halloween me DJ.

Aldo “Noa” Bar

Ai parashikon të ketë 120 persona që do të festojnë natën e 31 tetorit në verandën e lokalit të ri. Aldo më shpjegon se çmimet e pijeve do të jenë pak më të larta për këtë festë, pasi përfshihet DJ, marketingu etj. Krahasuar me organizime të tjera festash ai thotë se pret të xhirojë maksimalisht 200 mijë lekë këtë natë mes ofrimit të pijeve freskuese, birrave dhe pijeve alkoolike.

                                                                                              

Si e shpjegon sociologia qasjen e shqiptarëve ndaj Halloween

Sociologia Entela Binjaku e shesh si shumë pozitive adoptimin e festave që nuk janë ato të traditës sonë.

Entela Binjaku, sociologe

Duke i mëshuar faktit se festat kanë synimin të bashkojnë njerëzit, ajo argumenton këtë me ndarjen e të njëjtave vlera që lidhen edhe me festa të caktuara (në këtë rast Halloween) e ndihmon solidaritetin shoqëror midis anëtarëve të një komuniteti. Anëtarët që bashkohen rreth një feste ndjehen jo vetëm më të afërt me vetë grupin, por edhe pjesë e plotë e të gjithë shoqërisë që i feston ato.

Arsyet që ajo jep se pse ne i qasemi me kaq lehtësi edhe festave që nuk janë pjesë e trashëgimisë sonë kulturore janë: Së pari, për shkak të kufizimeve të forta që kemi pasur, nevoja për të shtuar argëtimet ishte legjitime; së dyti për shkak të prirjeve ksenocentriste që janë shfaqur mjaft në këto 25 vitet e fundit, shumë festa të huaja erdhën dhe u bënë pjesë e fjalorit tonë edhe pse nuk i kemi njohur me parë ose edhe pse nuk kanë ndonjë përmbajtje të njohur për psikologjinë tonë sociale. “Qëndrimet ksenocentrike i bëjnë njerëzit të braktisin grupin ku bëjnë pjesë dhe të “përqafojnë” një grup tjetër, të cilin e konsiderojnë më tërheqës apo vlerat e atij grupi u duken si më ekzotike dhe joshëse. Kjo ka ndodhur edhe me festat”, shpjegon sociologia Binjaku. Së treti, thotë ajo, ndikimi i medias në përcjelljen e disa modeleve që janë larg nesh. “Media dihet se përfaqëson një pushtet shoqërizues të fortë dhe shoqëritë perëndimore kanë një peshë të rëndësishme. Radioja, shtypi dhe, mbi të gjitha, televizioni, propozojnë një tërësi situatash, formash ndërveprimi dhe sjelljeje, të cilat merren lehtësisht si model nga brezat e rinj. Por televizioni është media që thith më shumë vëmendjen e fëmijëve, sepse përtej të qenit një mjet informimi, mediat  propozojnë edhe transmetime që lidhen me krijimtarinë dhe argëtimin”, thotë ajo.

 

Më Shumë