Futboll

Halili dhe Shehi: Objektiv titulli, nuk do ketë ndërhyrje nga lart

Presidenti i Tiranës, Refik Halili u shfaq sot para mediave me trajnerin e ri të bardhebluve, Orges Shehin, i cili në karrierën e tij si trajner ka pasur eksperiencë me Skënderbeun dhe me Kukësin. Halili theksoi se trajneri ka kontratë të pafundme nëse ka rezultate të mira, ndërsa u shpreh se ai nuk do të ndryshoj në mënyrën e tij të punës dhe shpreson që me këtë mos t’i sjellë dëm Shehit.

“Gjatë gjithë kësaj periudhe për fat të keq nuk kemi ecur mirë. Nuk mund të rrimë pa trajner dhe mendoj se kam zgjedhur të duhurin, pas shumë bisedave të bëra. E njoh, është një kampion, me pak fjalë. Besoj se do të bëjë mirë edhe te ne si trajner.

Objektivi? Ju e dini më mirë se unë, flas për ekipin tim. Besoj te skuadra, kemi 7 lojtarë kombëtaresh. Gjërat do t’i marrim një e nga një. Kemi punë shumë, me licencimin dhe infrastrukturën. Nuk kemi shumë fjalë të bukura për të thënë. Do flasim në fushë dhe do ecim përpara. Kjo besoj se është e treta e vërteta, siç ndodhi vjet.

Ndërhyrjet të trajnerët? Kam dëgjuar disa trajnerë që kanë folur. E dini vetë se çfarë kanë thënë. Nëse kanë thënë që ndërhyn, merreni të mirëqenë. Nuk jam i çmendur, jam shumë i kujdesshëm në këtë vendim. Nuk bëj dot marrëzira. Jemi njerëz dhe nuk është gjë e keqe të bëhen sugjerime. Puna bëhet në bashkëpunim. Na erdhi keq që e prishëm marrëveshjen me ish-futbollistin tonë (Dede).

Lojtarët? Nuk kam thënë se trajnerët nuk kanë bërë punë të mirë. Dede është rast i rrallë. Nuk kam asnjë koment për të. Lojtarët janë aty. Përgjegjësinë e diskutojmë tani që është grupi më i plotë. Torassa na ka munguar dy ndeshje, Batha ka dalë me të kuqe. Kanë marrë penalitete në drejtim të pagës, që u dhemb. Grupi është aty, edhe skuadra. Merkaton nuk e kemi bërë sipas qejfit. Grupi i lojtarëve është”, përfundoi Halili në fjalën e tij.

Shehi nga ana tjetër u shpreh i lumtur dhe i kënaqur që bëhet pjesë e klubit më të titulluar në vend. ‘’ Ambiciet janë të mëdhaja. Kemi rrugë të gjatë përpara, skuadra do tentojë të ngjitet sa më lart. Synimi është maja, por shkallët do i marrim dalëngadalë. Objektivat e klubit dihen, gjithmonë në majë.

Në këtë profesion përgjegjësia është e madhe dhe unë nuk jam tip që i shmangem atyre. Tiranën e prita me shumë qejf sepse është klub i madh dhe ka një organikë të mirë lojtarësh. E prita me kënaqësi dhe këto ishin arsyet pse vendosa Tiranën.

Kur e merr një skuadër në mes të sezonit nuk mund të bësh llogari se kush e bërë e kush jo. Unë kam njohuri për skuadrën, e njoh mirë dhe siç e thashë edhe më parë kontingjenti është i gatshëm të luftojë për sa më lart. Nuk jemi në pozicionin e duhur në renditje. Nga sot duke e prekur stërvitjen dhe duke e parë nga brenda mund të jap një opinion më të saktë, por mendoj se është edhe pak çështje fati prej mungesave, por edhe psikologjia ndikon.

Sa i përket sugjerimeve, unë dje kam ndenjur me presidentin shumë orë dhe në asnjë moment nuk më është thënë kjo, por më janë kërkuar rezultatet. Më është thënë se nuk më intereson kush është në fushë, por dua rezultatet. Risku është prezent dhe po të jetojmë me frikën e riskut, s’do punonim fare.

Tirana për momentin është poshtë, por them se do ngjitet, shpresoj ta bëjë këtë dhe të arrijë objektivat, pastaj risku është prezent kudo. Unë me gjithë stafin tim duhet të bëjmë maksimumin në psikologji dhe taktikë e teknikë. Pastaj unë jam koshient se rezultatet të mbajnë në punë. Unë vij më dëshirën e madhe si të jem gjithë jetën, por edhe sikur do iki nesër. Të kesh të gjithë skuadrën është gjë e mirë sepse kanë munguar lojtarë kampion, që kanë peshë të madhe. Frikë aspak, kujdes po”, mbylli deklaratën e tij si trajneri i ri Tiranës, Orges Shehi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë