Ka ndodhur

Hajduti ‘akrobat’ shqiptar kapet në Spanjë mes luksit, vodhi 20 banesa në Itali

Gazeta Si - Dielli, deti dhe jeta e natës. Kështu i kaloi ditët si i arratisur në Spanjë, në Barcelonë, një shqiptar 30-vjeçar, i kërkuar në Itali pasi kishte kryer rreth njëzet “goditje” në apartamente të ndryshme në provincat e Lodit, Monzës, Brianzës dhe Milanos.

Një arratisje që zgjati tetë muaj, pas operacionit të policisë në 27 janarin e kaluar në San Giuliano Milanese.

Pasi shijoi jetën e luksit në Spanjë mes detit dhe lokaleve të natës, pushimet e “skifterit” shqiptar u ndërprenë në mes.

I riu, emri i të cilit nuk bëhet i ditur nga mediat, arriti të arratisej duke zbritur nga çatia e një apartamenti dhe kështu humbi gjurmët falë edhe errësirës dhe mjegullës.

Me atë rast, tre anëtarët e tjerë të bandës së “hajdutëve akrobatë” përfunduan në pranga, dy shqiptarë dhe një rumun, të akuzuar se kishin shënuar një duzinë vjedhjesh në zonën e Lodigianos (midis Lodit, Massalengos, Lodi Vecchios, Tavazzanos dhe Sant'Angelos) dhe në Milanon e Jugut.

Dhe pak ditë më parë, i fundit nga anëtarët u arrestua falë një operacioni të përbashkët të Komisariatit të Policisë së Lodit dhe policisë spanjolle, e cila zbatoi një urdhër arresti me burg falë një urdhër-arresti evropian të kërkuar dhe marrë nga Prokuroria Publike e Lodit.

Sipas hetuesve italianë, banda kriminale kishte një mënyrë pune të konsoliduar: natën, “hajdutët-akrobatë” arrinin të futeshin në banesa pasi ngjiteshin mbi dy-tre kate nga toka përmes tubave të gazit.

Më pas, ata përdornin leva për të hapur dyert dhe dritaret dhe më pas për të grabitur shtëpitë.

Një aktivitet i paligjshëm, ku vetëm në periudhën tetor-dhjetor 2021, ishin vjedhur gjatë “inspektimit” të banesave të prekura, të paktën 6000 euro para cash, por mbi të gjitha ar, bizhuteri dhe sende të çmuara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë