Ngjarje

Hajdutët tolerantë, hyjnë në shtëpi, bëjnë rrëmujë dhe nuk vjedhin asgjë

Hajdutët hapën sirtarët e dollapëve, kërkuan poshtë krevatit ndaj lëvizën edhe dyshekun. Lëvizën objektet e tjera, shkatërruan rrobat. Dhe pastaj u larguan pa marrë asgjë. Një i ri, i cili jeton në një apartament pranë Kopshtit Zoologjik me inicialet M. Zh pasi u kthye në banesë dhe konstatoi rrëmujën, kontrolloi dhe kreu inventarin i bindur se hajdutët kishin pasur kohë të merrnin prej andej ç’të dëshironin ata. Por nga kontrolli i riu nuk konstatoi asnjë mungesë.

Burimet e Gazetës "Si" bëjnë me dije se kallëzuesi njoftoi menjëherë në numrin falas të sallës operative duke kërkuar këqyrje policore të banesës. Policia raporton në procesverbalin për këqyrjen e objektit “shkuam menjëherë për të kryer këqyrjen e vendngjarjes. Pasi hymë konstatuam se dera e apartamentit ishte e padëmtuar. Në të djathtë ishte dhoma e gjumit, të gjitha sirtarët e komodinave ishin të hapur. Aty u mor një qese me mbishkrimin Rinostop, e cila u etiketua me tabelën numër dy dhe u mor për ekzaminime të mëtejshme, me dyshimet se ajo është prekur nga hajdutët”.

Policia përshkruan se edhe sirtarët e kuzhinës ishin të hapur të gjithë, por nga përpunimi me pluhur daktiloskopik, por nuk e gjetën gjurmë të vlefshme për identifikim.

Burimet policore të gazetës "Si" bëjnë me dije se hajdutët nuk kishin vjedhur asgjë.

Ndërkohë që në polici M. Zh shton se kishte kryer me kujdes kontroll përpara se të mbërrinte policia, dhe pa që hajdutët nuk kanë marrë asgjë me vlerë. “Nuk kanë marrë asgjë dhe nuk ka dëmtim prone. Nuk e di me saktësi se përse kanë hyrë”, shton kallëzuesi.

Policia siç përshkruajnë burimet e gazetës Si u largua me vetëm një provë të vetme që është ilaçi Rinostop, i cili do të këqyret. Por edhe për medikamentin policia nuk mund të thotë nëse gjurma e gjetur në të, është e hajdutëve apo e pronarit të shtëpisë. Sidoqoftë, medikamenti që përdoret për ftohje nuk është hapur, por vetëm është prekur aq sa për të lënë mbi të një shenjë gishti që shpresohet të zbulojë hajdutët e rrëmujshëm, të cilët sidoqoftë kanë qenë në kërkim të diçkaje të vlefshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë