Ana e errët

Hajdutët e mbijetesës… Vjedhjet e tyre po bëjnë me dhimbje koke policinë

Gazeta "Si"-Ai është 41 vjeç, rezulton i lindur në Tunizi dhe me banim në Breschia të Italisë. Por së fundmi ishte kthyer në makthin e dyqaneve në Tiranë.

A. Magidi u denoncua për herë të fundit nga shitësja e një butiku në rrugën "Muhamet Gjollesha". “Rreth orës 19:20 në dyqan hyri një klient i moshës 40 vjeç, me syze optike dhe më pyeti në gjuhën italiane për artikujt e veshjeve. Pasi i shpjegova artikujt, ai doli tek dera dhe më pas vërejta se në banak mungonte telefoni i punës i markës iPhone, me këllëf të zi”, deklaroi në polici dëshmitarja me inicialet N.K.

Duke e përshkruar si një person ezmer, shitësja shton se “në Instagram pashë që videot e këtij personi ishin denoncuar ngado për vjedhje telefonash”.

Policia i tregon Gazetasi.al se implikimi i shtetasve të huaj të pa gjurmuar nga të dhënat papilare ka sjellë një fluks ngjarjesh që nuk po zbardhen. Por shqetësimi më i madh sipas policisë vazhdojnë të mbeten vjedhjet e vogla në kushtet e mbijetesës. Një zyrtar policie tregoi se dy kategori vjedhjesh po bëjnë me “dhimbje koke” policinë, njëra ndër to ajo për të paguar faturat dhe për të patur ushqim dhe tjetra, vjedhjet për të fituar para dhe për të blerë një dozë droge.

E.L. është 32 vjeç dhe akuzohet për një seri vjedhjesh që kanë si emërues të përbashkët mbijetesën. Vjedhja e tij, ku u zbulua, ishte ajo e ndodhur në Rrugën Dora Distria, Tiranë.

“U njoftuam se një i ri vodhi në minimarketin e lagjes ushqime dhe produkte ushqimore”, shpjegon policia për Gazetasi.al. Në të njëjtën datë dhe në të njëjtën lagje, i riu u pa pranë koshave të mbeturinave. Nuk kishin kaluar shumë orë nga njoftimi në sallën operative dhe as nga kqyrja e kamerave të sigurisë nga agjentët.

“Ky person po qëndronte pranë një koshi mbeturinash duke kontrolluar”, shpjegon policia për Gazetasi.al. Policia vërejti se realisht i dyshuari ja kishte dalë mbanë të merrte nga minimarketi dy paketa me cigare .

“Sapo ky person vuri re policinë në çastet kur po kontrollonte në koshin e mbeturinave u largua me shpejtësi duke flakur paketat që kishte vjedhur”, raporton policia e Tiranës. Ndonëse agjentët e ndoqën, ata nuk arritën ta arrestonin atë ditë.

Një javë më pas, sipas policisë, hajduti i mbijetesës që shfaqej nëpër supermarkete duke përvetësuar produkte të gatshme ushqimore, u konstatua në rrugë sërish pranë një koshi mbeturinash. Kur ai u dërgua në komisariat, ai shpjegoi për oficerët pozitën e tij.

“Është e vërtetë që kam qenë tek ky minimarket dhe atë ditë piva birra. Në këto momente ma dha truri për cigare. Pasi shkova në dyqan vura re që dyqani ishte mbyllur. Duke qenë se dyqani ishte mbyllur, kalova kangjellat dhe hyra në minimarket”, ka shpjeguar ai. Sipas të dyshuarit, ndonëse dera ishte e mbyllur, ai nuk hezitoi ta shtyjë dhe më pas është drejtuar tek raftet ku ka marrë disa paketa dhe është larguar qetë-qetë.

“Qëllimi im nuk ishte të vidhja dyqanin, por të merrja disa paketa se ma dha truri për duhan dhe nuk kisha asnjë lekë në xhep”. I riu shton më tej se më pas ai ju drejtua koshit të mbeturinave për të gjetur një qese ku të vendoste paketat.

“Aty erdhi policia dhe më pyeti se çfarë po bëja. Iu tregova se po kërkoja një qese që të fusja disa gjëra. Më këshilluan që të shkoja në shtëpi dhe ju kam thënë në rregull. Pra nuk u largova prej patrullës”.

I dyshuari këmbëngul se ndihet i penduar dhe se do ua paguajë dëmet pronarëve të dyqanit, pavarësisht se ofrohet që meqenëse nuk ka para, ata ta angazhojnë në ngarkim e shkarkim të mallrave derisa të shlyejë detyrimin e paketave. Por pavarësisht kësaj, policia përmend se ka përpiluar disa procesverbale ngjarjesh të hajdutit, midis tyre edhe ajo e kontrollit personal, e kapjes në flagrancë, e raportit të shërbimit, kërkimi nga sistemi TIMS që e shfaq si një përsëritës për vjedhje si dhe të dhënat ndaj tij nga sistemi ADAM-2.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë