Gazeta Si – Kombëtarja e Brazilit është eliminuar nga Kupa e Botës në fazën e 1/8-ave, pasi u mposht me rezultatin 2-1 nga Norvegjia.
Ndeshja u vendos në pjesën e dytë nga sulmuesi Erling Haaland, i cili shënoi dy gola vendimtarë në minutat e fundit të takimit.
Ai zhbllokoi shifrat me një goditje me kokë në minutën e 79-të dhe dyfishoi avantazhin në minutën e 90-të me një goditje nga jashtë zone, duke regjistruar golin e tij të 7-të në këtë kompeticion, po aq sa Mbappe dhe Messi.
Përpara këtyre realizimeve, skuadra e drejtuar nga Carlo Ancelotti shpërdoroi disa mundësi të pastra, përfshirë një 11 metërsh të pritur nga portieri norvegjez në minutën e 14-të pas ekzekutimit të Bruno Guimaraes.
Gjithashtu, sulmuesi Endrick dështoi të shënonte në një situatë i vetëm përballë gardianit kundërshtar gjatë pjesës së dytë.
Brazili arriti të ngushtonte diferencën në minutat shtesë me anë të një penalltie të shndërruar në gol nga Neymar, por pa mundur të ndryshonte fatin e kualifikimit. Pas këtij suksesi, Norvegjia kalon në çerekfinale ku do të gjejë Anglinë.

Pikërish “Tre Luanët” kanë siguruar kualifikimin për në fazën çerekfinale të Kupës së Botës pas një fitoreje dramatike me rezultatin 3-2 ndaj Meksikës, në një takim që dhuroi spektakël në fushën e lojës.
Në këtë ndeshje, u shënuan pesë gola, u akorduan dy penallti dhe u nxor një karton i kuq.
Mesfushori Jude Bellingham hapi serinë e golave në minutën e 36-të dhe dyfishoi avantazhin për anglezët vetëm dy minuta më vonë.
Meksika arriti të ngushtonte diferencën përpara përfundimit të pjesës së parë me anë të Julian Quinones në minutën e 42-të.
Fraksioni i dytë nisi me vështirësi për skuadrën e “Tre Luanëve”, pasi mbrojtësi Jarell Quansah u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 54-t, duke e lënë ekipin e tij me dhjetë lojtarë.
Megjithatë, në minutën e 60-të, Harry Kane riktheu qetësinë duke shënuar golin e tretë nga pika e bardhë e penalltisë.
Meksikanët u përgjigjën sërish në minutën e 69-të përmes një tjetër 11 metërshi të shndërruar në gol nga Raul Jimenez, por pa mundur të barazonin shifrat deri në vërshëllimën finale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje