Ka ndodhur

Gushti rikthen emigrantët në shtëpi, 10 mijë persona me tragete drejt Durrësit

Gazeta Si - Muaji gusht, ka rikthyer me mijëra emigrant shqiptarë dhe jo vetëm nga Italia me tragete drejt portit të Durrësit.

Kjo e diel ka regjistruar numrin më të lartë të udhëtarëve që kanë hyrë në vend përmes portit më të madh detar në një ditë.

Mësohet se 6 mijë udhëtarë kanë zbritur nga katër tragete të linjave të Barit dhe Ankonës, ndërsa 4 mijë udhëtarë të tjerë pritet të mbërrijnë në mbrëmje me dy tragetet e radhës.

Stina e nxehtë që përkon dhe me pushimet vjetore ka shtuar ndjeshëm numrin e personave që zgjedhin transportin detar për të mbërritur në Shqipëri.

Janë kryesisht emigrantët që jetojnë e punojnë në Itali dhe vendet e tjera të BE-së dhe kthehen për pushime në atdhe, por edhe shtetas të huaj që zgjedhin vendin tonë për të pushuar të joshur nga larmia e relievit dhe çmimet e favorshme.

Për t’iu përgjigjur kërkesës kompanitë e lundrimit kanë shtuar që nga data 21 korrik numrin e  lundrimeve ditore në Adriatik. Edhe linja e Ankonës ka lundrime të përditshme ditë me Durrës.

Me gjithë ardhjen e tyre, problematikat nuk mungojnë. Qytetarët që kanë mbërritur në port po përballen me radhë të gjata të automjeteve.

Për shkak të fluksit të lartë, autoritetet portuale po punojnë me kapacitet të plotë, ku janë vënë në dispozicion 26 sportele.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë