Dosje

Grupet nga Vlora në trafikun e drogës në Belgjikë, kapen 100 kg kokainë dhe 265 mijë € (foto)

Gazeta Si - Një total prej 17 personash u arrestuan të martën gjatë kontrolleve të shtëpive në Belgjikë dhe disa vende të tjera evropiane, si pjesë e një hetimi të madh të anti-drogë në Anversë (Antwerp) të drejtuara nga grupet kriminale shqiptare. Sipas mediave belge, hetimet i çuan autoritetet lokale te një grup shqiptarësh nga Vlora.

Në Belgjikë, u bënë dymbëdhjetë kontrolle në shtëpi të ndryshme në Anversë, Schoten dhe Sint-Niklaas, ashtu siç ndodhi edhe në Gjermani, Francë, Itali, Holandë dhe Austri nga policitë lokale, si rezultat i të cilave 11 persona u arrestuan vetëm në Belgjikë, ndërsa 6 të tjerë pritet të ekstradohen në këtë shtet.

Gjatë kërkimeve, autoritetet sekuestruan 100 kilogramë lëndë narkotike, kokainë dhe amfetaminë, si dhe armë zjarri, substanca kimike, jelekë antiplumb dhe rreth 265 mijë paund para cash.

Mediat belge konfirmojnë se hetimet u nisën në vitin 2023 nga autoritetet belge pas zbulimit të një magazine në Antverp, ku u gjetën pako boshe që përdoreshin për mbajtjen kokainës dhe heroinës, si dhe materiale që përdoreshin për paketimin e lëndëve narkotike.

Sipas dyshimeve, ata blinin substanca të mëdha kimikatesh për hollimin e drogës dhe ua ofronin këtë shërbim organizatave të tjera kriminale.

 “Organizata thuhet se është specializuar në prerjen e sasive të mëdha të lëndëve narkotike, nga disa në qindra kilogramë, thotë Kristof Aerts, zëdhënsi i Zyrës së Prokurorisë së Anversës. - Për këtë qëllim u blenë në masë të madhe lëndët kimike, kryesisht aceton. Pas prerjes, droga transportohej në vende të ndryshme evropiane me automjete me hapësira të fshehura”.

Policia ka arritur të kapë dy transporte të tilla, në Holandë dhe Zvicër. “Në ato makina janë sekuestruar 36 mijë euro, dy kilogramë kokainë dhe gjashtë kilogramë heroinë”.

Një tjetër procedim nisi në fund të vitit të kaluar, ku në një celular të kontrolluar nga policia u gjetën disa prova që çuan në identifikimin e të dyshuarve. Hetimi nga policia gjyqësore federale u përqendrua rreth një grupi të dyshuarish po nga zona e Vlorës.

“Ai hetim nisi kur hetuesit gjetën të gjitha llojet e elementeve inkriminuese në celularin e një shqiptari që mund të tregonin përfshirje në importin e kokainës dhe funksionimin e një laboratori për përpunimin e kokainës”, thotë Aerts. Sipas raportimeve, lënda narkotike vinte nga Amerika Latine.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë