Shendet

Gruaja që sheh falë gjakut të burrave

Një grua që humbet shikimin nëse nuk ka mjaftueshëm burra që të dhurojnë gjak u kërkon meshkujve që të dhurojnë sa më shumë.

Rasti i 39-vjeçares, Jo Daniels nga Bristoli i Britanisë së Madhe po shfrytëzohet edhe nga autoritetet britanike në fushatën për të tërhequr gjithnjë e më shumë burra drejt qëndrave të dhurimit të gjakut.

39-vjeçarja vuan nga një sëmundje autoimune, e njohur si Sindroma Sjogren. Kjo do të thotë se sistemi imunitar i Jo sulmon gjëndrat e lotimit, duke i shkaktuar ulçër të kornesë. Ajo injekton në sy një serum të përditshëm që prodhohet mbi bazën e gjakut të dhuruar nga meshkujt.

Serumi e ndihmon duke i ruajtur shikimin, për shkak të nivelit të lartë të hekurit që gjendet tek gjaku i burrave. Ndryshe nga burrat, gratë prodhojnë antitrupa gjatë shtatzënisë që e bën gjakun e tyre të padobishëm për një sërë transfuzionesh dhe kurash me bazë gjakun e dhuruar.

Jeta e Jo Daniels u ndërlikua kur nisi të humbiste me shpejtësi të lartë shikimin. “Sytë i kisha të acaruar gjithë kohës, deri kur papritur m’u turbullua pamja dhe nisi të ndjej dhimbje. Brenda katër javëve u shndërrova nga një njeri me shikim normal në krejtësisht të verbër. U shqetësova dhe kisha frikë se nuk do të shihja më vajzën time teksa rritej”, rrëfen ajo për BBC News.

Një sërë mjekimesh dështuan që ta ndihmojnë dhe Jo thotë se nisi të ambientohej me idenë se mund t’i duhej që pjesën tjetër të jetës ta kalonte e vërbër. Por, një kurë e fundit e ndërtuar me plazmën e gjakut të dhuruar nga burrat ndryshoi gjithçka për mirë dhe i riktheu asaj shpresën.

“Tani shoh falë burrave që dhurojnë gjak, që përdoret për ndërtimin e këtij serumi, që njerëz si unë e hedhin në sy çdo orë. Nëse nuk sasi gjaku të mjaftueshme, dhurues të mjaftueshëm gjaku, atëherë unë nuk do të jem në gjendje që të gjej këtë kurë dhe do të humbas shikimin sërish”, shton ajo.

Rasti i Jo Daniels po shfrytëzohet për të ndërgjegjësuar burrat në Britaninë e Madhe që të dhurojnë më shumë gjak, pas rënies drastike të shifrave, ku në 5 vitet e fundit dhurojnë gjak 26 për qind më pak, ndërkohë që numri i grave që dhurojnë është ulur me vetëm 6 për qind.

Sindroma Sjogren cilësohet gjendja kur sistemi imunitar i organizmit interpreton si armiqësore gjëndrat e lëngshme në trup dhe i sulmon ato, kryesisht gjëndrën e lotëve dhe atë të pështymës. Sëmundja prek kryesisht gratë të moshës nga 40 deri në 60 vjeç dhe aktualisht nuk ka asnjë kurë.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë