Ana e errët

Gruaja fliste shumë, burri e godet me shishen e birrës në kokë: Prita të qetësohej, por hyri nga dritarja

Gazeta Si - Një 37-vjeçar nuk ka ngurruar aspak që të hedhë mbi bashkëshorten ç’të mundej, pasi ajo po fliste dhe sipas tij, e bezdisi aq shumë saqë i humbi durimin. 

Policia bën me dije për Gazetasi.al, se kryefamiljari i dhunshëm, me inicialet L.M., u prangos nga komisariati numër 5 i policisë në Tiranë.

“Aq i nevrikosur ishte 37-vjeçari me të shoqen, saqë nuk u mjaftua me dhunën brenda banesës, por e ndoqi këmba-këmbës teksa ajo vraponte dhe kërkonte të shpëtonte prej tij”, - tha njëri nga burimet e sigurta policore që u angazhua për trajtimin e këtij rasti. Ngjarja bëhet me dije se u konstatua në rrugën “Ferit Gjuta”.

“Patrullat konstatuan një shtetase që po vraponte dhe pas saj një person që po  e ndiqte me vrap”, mësohet nga burimet që raportuan në sallën operative shërbimet e patrullave të gatshme, të cilat u ndanë në dy grupe.

Njëri prej tyre u përpoq të qetësonte gruan e trembur dhe tjetri, u vu në ndjekje të shtetasit të nevrikosur që nga një ndjekës, u kthye në një vrapues që tentoi t’i shpëtojë policisë

Çfarë ndodhi?

Megjithëse skenën e panë dhe policët kur po vërenin dy të panjohur që vraponin, gruaja bëhet me dije se paraprakisht tentoi që ta justifikojë të shoqin.

Por në fund, gruaja nuk mundi dot të mbulojë shenjat në fytyrë dhe një të çarë në kokë.

“Ishte një keqkuptim. Ne po flisnim, unë po flisja më shumë. Një çast humbi qetësinë nga fjalët e mia, kujtoi se po e gënjeja. Gjendeshim në sallon të shtëpisë dhe bashkë me ne ishin dhe fëmijët e vegjël”, - tregon gruaja e moshës 32 vjeçe.

Për shenjën në kokë, ajo thotë: “Në debat e sipër, kur unë po flisja dhe ai po fliste, po mbante shishen e birrës në dorë, më qëlloi me atë”.

E shqetësuar nga ky veprim, ajo ka marrë në krahë dy fëmijët e vegjël dhe është drejtuar për nga dhoma e gjumit.

“U mbyllëm në dhomë dhe e kyça derën nga brenda. I tregova familjarëve në telefon dhe ata më thanë që duhet të merrja policinë në telefon, por unë nuk e njoftova”.

Gruaja ka qëndruar e mbyllur në dhomë në pritje të qetësimit të të shoqit.

“Por burri hyri nga dritarja. Më mori telefonin tim dhe më goditi në kokë me të. Më goditi me grushte, pastaj më tha dil nga shtëpia”.

Nëna e dy fëmijëve shton sipas burimeve të policisë, se u nis për të shkuar tek të afërmit e bashkëshortit, të cilëve iu kërkoi telefonin për të njoftuar policinë lokale.

“Pasi mora policinë, bashkë me fëmijët po shkoja në komisariat dhe gjatë rrugës iu tregova adresën se ku ndodhesha”.

Policia i thotë Gazetasi.al se gjatë kësaj kohe që gruaja po shkonte drejt komisariatit dhe sakaq një patrullë ishte nisur drejt saj. Por bashkëshorti, shtetasi L.M., u vu në ndjekje të saj.

“Ai më kapi për leckash, tentoi të më marrë telefonin e të afërmve dhe aty erdhën për të na ndarë njerëzit e afërm që e bllokuan”.

Burri nuk përmbahej: Më ka goditur edhe në sy të fëmijëve

Gruaja ka vijuar të vrapojë dhe siç duket, sipas burimeve të policisë, bashkëshorti u ka shpëtuar nga duart të afërmve dhe është vënë në ndjekje të saj, duke mos u dorëzuar dhe i pa qetësuar aspak.

“Nuk është hera e parë që im shoq ushtron dhunë dhe më së shumti ai nevrikoset kot. Më ka goditur dhe në prani të dy fëmijëve dhe përherë derisa qetësohet unë mbyllem diku derisa e kuptoj“, - shton më tej nëna e fëmijëve të vegjël.

Që burri ishte nevrik dhe i pakontrollueshëm, e konfirmon edhe deklarata e tij paraprake.

“Po është e vërtetë, që në debat e sipër i lëshova shishen e birrës. Ajo po fliste shumë dhe nuk ndalonte. Humba qetësinë. Por  shpjegime më të hollësishme për gruan time do të jap në një fazë tjetër, pasi të qetësohem”, - thotë para oficerëve të policisë numër 5 kryefamiljari nevrik.

Burimet i thonë Gazetasi.al se pyetën në prani të psikologëve dhe fëmijët e çiftit, të cilët kujtojnë jo vetëm skenën se si e ëma u qëllua me shishen e birrës, por edhe këmbënguljen e babait që ajo të mos fliste më.

“Ishte një sekondë çasti kur e qëlloi. I tha mamit shumë herë, prit të flas dhe unë. Ia tha shumë herë këtë gjë. Pastaj i lëshoi shishen. Mami u mbyll në dhomë me ne dhe pastaj ai shqeu dritaren”, - kujtojnë dy të miturit të pyetur veç e veç.

Nga ana tjetër, policia konstaton si vendngjarje sendet e lëvizura në shtëpinë e çiftit.

“Ishte një fashetë duralumini e hedhur përtokë e lëvizur nga dritarja. Një kuti që në dukje përdoret për erëzat, një shishe qelqi e thyer që u sekuestrua si provë materiale dhe pjata me produkte ushqimore të papërfunduara”, - shkruhet në procesverbalin e agjentëve të krimeve.

Sakaq, përshkruhen edhe plagët e bashkëshortes. Ajo ka hematoma në kokë dhe në krahë thotë policia për Gazetasi.al, që sidoqoftë nuk ka harruar të shtojë edhe tentativën e gruas për ta mbrojtur.

“Ishte një moment dhe jam e bindur që nuk deshi të më shkaktojë dëm me shishen e birrës. Ndoshta e teprova dhe tani që kujtohem nuk di për çfarë nisi sherri dhe për çfarë përfunduam këtu”, - e mbyll dëshminë nëna e dy fëmijëve të mitur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë