Ngjarje

Gruaja e denoncoi por ai përplasi me makinë dhe kërcënoi me thikë policen italiane. Kolegu i saj e vrau me 4 plumba shqiptarin

Haxhi Çollaku, 55-vjeç është qëlluar për vdekje nga policia italiane pasditen e djeshme në qytetin e Padovas. Sipas mediave italiane 55-vjeçari shqiptar, ndodhej në hyrje të shtëpisë së ish-gruas në lagjen Sacra Famiglia dhe ishte kjo e fundit që njoftoi karabinierët, pasi e kishte denoncuar për përndjekje të vazhdueshme prej me shumë se një viti.

Pas denoncimit të ish-gruas, menjëherë mbërriti një patrullë në vendngjarje dhe agjentët e policisë kërkuan që ai të largohej prej andej, pasi për ish-bashkëshorten kishte urdhër mbrojtje në fuqi, që e ndalonte 55-vjeçarin të afrohej në zonë.

Fillimisht u duk sikur ai hoqi dorë dhe u largua drejt furgonit të tij, duke pritur që karabinierët të përfundonin marrjen e të dhënave personale dhe përgatitjen e raportit për ngjarjen. Po papritmas, 55-vjeçari shqiptar ndezi furgonin dhe përplasi policen përballë tij, e cila mbeti e plagosur. Pas kësaj, ai doli nga kabina tentoi që me thikën të cilën e mbante në dorë të godiste karabinieren.

Në këtë moment kolegu i kësaj të fundit ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar në drejtim të shqiptarit katër herë. Haxhi Çollaku u transportua në spital, por ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra në gjymtyrët e poshtme.

“I dëgjova të bërtisnin: Qëllo, qëllo” ka treguar një banor i zonës.

Rreth orës 14:00 të 14 korrikut Haxhi Çollaku, 55 vjeçar ishte ndaluar me furgonin e tij poshtë shtëpisë së ish bashkëshortes me të cilën kishte një histori përndjekjeje dhe dhune.

Disa vite më parë madje ndaj 55 vjeçarit ishte firmosur dhe urdhër largimi nga banesa bashkëshortore.

Dikur mësues matematike në Shqipëri Haxhi Çollaku kishte 20 vite që jetonte në Itali por martesa nuk kishte funksionuar dhe bashkëshortja e kishte denoncuar disa herë për dhunë, informon media italiane.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë