Gripi i shpendëve që u konfirmua sëfundmi rrezikon konsumatorët sipas ekspertëve të bujqësisë dhe veterinarisë dhe kërkon kujdes specifik në mënyrën e gatimit.
Gazetasi.al kontaktoi me Ervin Resulin, ekspert dhe specialist për bujqësinë dhe veterinarinë, i cili shpjegon se vezët në asnjë mënyrë nuk duhet të konsumohen të pagatuara. Përkundrazi, ai thekson se ato duhet të zihen ose të skuqen dhe sëbashku me mishin e pulës të gatuhen termikisht në temperaturën mbi 70°C.
Resuli shton se njoftimi duhej të ishte bërë disa ditë më parë nga Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtes së Bimëve(AKVMB) sëbashku me AKU-unë pasi rastet e pulave të ngordhura në Durrës ishin një tregues i pastër i gripit të shpendëve sipas konsultimeve me specialistët e veterinarë të terrenit.
“Përpos njerëzve që i gatuajnë vezët, ka dhe një grup qytetarësh që i konsumojnë ata të gjalla të cilët kanë rrezik më të lartë se të tjerët.
Ky është një rast flagrant i shkeljes së ligjit sepse prej dhjetë ditësh ne kemi bërë njoftime që ngordhja e tyre vinte si pasojë e gripit të shpendëve dhe vezët u tregtuan kudo brenda këtij afati kohor.
Ndërkohë AKVMB-ja të enjten(17 mars) njoftoi se nuk kishte asnjë rast të shfaqur me gripin e shpendëve dhe se ngordhja e tyre kishte ardhur si pasojë e sëmundjes së laringotrakeitit infektiv i cili nuk transmetohet te njerëzit.
Qytetarët duhej të ishin njoftuar dhe Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë nuk duhet të kishte lejuar për më shumë se 20 ditë një situatë kaotike duke mos arritur në diagnozën përfundimtare në kohën e duhur”, thotë ai për Gazetasi.al.
Resuli shton ndër të tjera se vezët mund të dërgohen në mensat e ndryshme të gatimit dhe të konvikteve të shoqëruara gjithnjë me procesverbal dhe me njoftimin se ata duhet të gatuhen mbi temperaturën 70gradë celsius në mënyrë që qytetarët të mos rrezikohen.
Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorit Shqiptar dhe Prodhuesi Vendor kërkojnë që Ministria e Bujqësisë të referojë një hetim të pastër dhe të paanshëm pranë organeve kompetente për veprime dhe mosveprime në kohë të institucioneve përgjegjëse, pasi jeta e konsumatorit është e rrezikuar.
Resuli bën me dije për Gazetasi.al se Shoqata do të presë reagimin dhe në rast të kundërt, do t’i drejtohet SPAK.
Ministria e Bujqësisë njoftoi se rasti është izoluar, ndërsa është vendosur karantinimi dhe janë marrë të gjitha masat për kufizimin e përhapjes së kësaj sëmundje duke përcaktuar perimetrin e zonës nga e cila ndalohet lëvizja e shpendëve, produkteve dhe nënprodukteve të tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.