Ngjarje

Greqia shtyn deri më 12 tetor masat kufizuese me Shqipërinë dhe Maqedoninë

Greqia ka shtyrë deri më 12 tetor masat kufizuese me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Turqinë për shkak se janë rritur ndjeshëm rastet e të prekurve me Covid-19.

Sipas mediave greke, mbeten në fuqi kufizimet e lëvizjes për shtetasit shqiptarë që nuk kanë leje qëndrimi në vend ose që dëshirojnë të udhëtojnë për qëllime turistike drejt Greqisë.

Ndërsa të drejtën për të hyrë në Greqi e kanë vetëm shtetasit shqiptarë me leje qëndrimi, homogjenët grekë, shtetasit grekë dhe punonjësit sezonalë. Sa i përket kalimit në kufi mbeten kufizimet e numrit të personave, në Kakavijë 750 dhe në Kapshticë 300 persona.

Të gjithë personat që kalojnë duhet të kenë plotësuar formularin, jo me vonë se 24 orë nga dita e udhëtimit dhe test negativ për Covid-19 jo më herët se 72 orë para hyrjes në kufi. Dhe të gjithë personat që kalojnë në këto pika kufitare do të duhet të qëndrojnë karantinë për 7 ditë.

Kufizimet shtesë janë bërë me qëllim shmangien e një karantine të dytë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë