Ngjarje

Greqia shtyn afatet për lejet e qëndrimit, për Schengen rregullat s’ndryshojnë

Shqiptarëve që u kanë skaduar lejet e qëndrimit në Greqi pas datës 11 shkurt dhe kanë aplikuar për rinovimin e tyre kanë mundësi ta bëjnë këtë deri në muajin tetor.

Autoritetet greke kanë shtyrë me pesë muaj afatet për shkak të pandemisë së shkaktuar nga koronavirursi. Ato njoftojnë se për lejet e qëndrimit që skaduan nga 11 shkurt e u aplikua për rinovim deri në 11 mars dhe lejet e qëndrimit që skaduan nga 12 marsi me afat aplikimi për rinovim deri më 12 maj do të rinovohen automatikisht deri më 12 tetor.

Po kështu deri më 12 tetor rinovohen automatikisht vërtetimet e rinovimit, apo të rishqyrtimit të vendimeve të gjykatës administrative që skadonin nga shkurti deri në maj. Deri në 10 maj mund të aplikojnë kategoria e kërkesës për herë të parë, me vizë të posaçme hyrje në territorin grek nëse viza u skadon deri më 10 prill.

Autoritetet greke sqarojnë se këto afate nuk duhet të ngatërrohen nga personat që shkelin rregullat e lëvizjes Shengen, pra ata që kanë shfrytëzuar regjimin e lëvizjes së lirë pa viza, duke hyrë në territorin grek me pasaportë. Për këtë kategori mbetet ende në fuqi afati 90-ditor i qëndrimit dhe penalizimet përkatëse nëse shkelet ky afat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë