Ka ndodhur

Greqia shtrëngon masat anti-Covid, rregullat e reja përfshijnë edhe Shqipërinë

Greqia ka ndryshuar rregullat për qytetarët që hyjnë në shtetin grek për shkak të parandalimit të përhapjes së variantit “Omicron” të Covid 19.

Sipas udhëzimeve të reja, duke filluar nga data 19 dhjetor 2021, ora 06:00 deri në datë 10 janar 2022, ora 06:00, të gjithë ata që udhëtojnë drejt Greqisë, pavarësisht kombësisë, nëse janë të vaksinuar apo jo, ose kanë qenë të diagnostikuar me COVID-19, janë të detyruar të paraqesin:

Test negativ PCR, kryer brenda 72 orëve, përpara udhëtimit. OSE;

Test të shpejtë antigjenik, i kryer brenda 24 orëve para udhëtimit;

Të gjithë udhëtarët që hyjnë në territorin e Republikës së Greqisë,  duhet të plotësojnë formularin elektronik PLF (Passenger LocatorForm), në adresën elektronike https://travel.gov.gr, me të dhënat e tyre të kontaktit në Greqi, përpara mbërritjes.

Masa, e cila vlen për të rriturit dhe fëmijët mbi 5 vjeç, pavarësisht nga vaksinimi, përfshin natyrisht edhe qytetarët shqiptarë.

Udhëzimi i ri i autoriteteve më hyrje-daljet në Greqi, është njoftuar edhe nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë.

“Pikat kufitare të Kakavisë, Kapshticës dhe Qafbotës njoftohet se funksionojnë gjatë 24 orëve. Pika kufitare e Tre Urave funksionon nga ora 08:00 deri në orën 20:00”, - thuhet në njoftimin e MEPJ-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë