Analize

Greqia përgatitet për valën e tretë: Do të jetë edhe më e rëndë se e dyta

Shifrat në Greqi, sidomos në rajonin e Selanikut vazhdojnë të jenë të frikshme, eskpertët kanë ngritur alarmin se vendi fqinj pritet të goditet muajin e ardhshëm nga vala e tretë e pandemisë.

Sipas mediave greke, më shumë se 103 viktima u regjistruan në 24 orët e fundit dhe më shumë se 3.500 pacientë janë të shtruar në spital për shkak të koronavirusit, me një të tretën e tyre që ndodhen në rajonin e Selanikut, ku situata, sipas mjekëve, është shumë e vështirë pasi njësitë intensive janë plotë.

Shtuar gjithë kësaj, ekspertët paralajmërojnë që vala e tretë e pandemisë, e cila pritet të ndihet pas Krishtlindjeve, mund të jetë më e keqe se e dyta.

“Parashikojmë të përballemi me një valë të tretë të koronavirusit, e cila do të na shkatërrojë", u shpreh për mediat drejtori i spitalin "Papanikolaou" në Selanik, Nikos Kapravelos. "Shteti duhet të përgatitet në mënyrë që kjo të mos ndodhë," vuri në dukje ai duke e përshkruar situatën në Selanik si shumë të vështirë.

Siç tha ai, njësitë intensive janë të plota dhe ankthi është transferuar në departamente, ku po zhvillohet beteja e vërtetë. Tani po bëhen përpjekje në spital për të lëvizur pacientët dje për të kursyer shtretër. "Njësitë intensive duhet të zhbllokohet menjëherë," theksoi ai.

Kapravelos paralajmëroi se nëse përhapja e virusit nuk zvogëlohet dhe nuk merren masa të tjera për të frenuar pranimet në spital, pacientët e sëmurë rëndë nuk do të mund të shtrohen në njësite intensive dhe,atëherë vdekshmëria do të rritet.

Vala e tretë pas Krishtlindjes

Këmbana e alarmit është lëshuar nga presidentja e mjekëve të spitalit Athinë-Pire (EINAP), Matina Pagoni, e cila paralajmëron se vala e tretë e pandemisë pritet pas Krishtlindjeve dhe mund të jetë më e keqe se e dyta.

Zonja Pagoni, vlerëson se mund të jetë e nevojshme që spitalet privatë të vënë qindra shtretër të tjerë në dispozicion në Greqinë Veriore. Ajo theksoi se javën e ardhshme Greqia mund të shohë një ulje të rasteve, por jo të vdekjeve dhe shtrimeve në spital.

"Ne kemi shumë raste dhe më shumë se 3,000 pacientë, ndërsa intubimi dhe vdekjet janë vazhdimisht në rritje. Vala e tretë do të vijë pas Krishtlindjes dhe mund të jetë më e vështirë", vuri në dukje zonja Pagoni. "Do të shohim një ulje javën e ardhshme, por vetëm në raste dhe jo në tregues të tjerë, në pacientë dhe vdekje. Me të dhënat që kemi tani, parashikojmë se izolimi duhet të zgjatet. Masat duhet të ishin marrë pak më herët dhe veçanërisht në Selanik, ku bllokimi duhet të ishte vendosur në tetor ", shtoi ai.

Situata në spitalet e Selanikut dhe Greqisë Veriore është ngjashme me atë në Bergamo, në pranverë, duke nxitur shumë ekspertë t’i kërkojnë qeverisë së kryeministrit Qiriako Mitsotaqis vendosjen e një karantinë të plotë. Sipas Kapravelos shtretërit ekzistues nuk mund të mbështesin njerëzit që kanë nevojë për intubim, ndërsa, midis pacientëve që janë të shtruar në spital, ka shumë të rinj dhe madje pa sëmundje shoqëruese.

"Shteti duhet të marrë masa më të ashpra kufizuese", theksoi ai. "Na duhet një bllokim total". Të njëjtin mendim u shpreh nga Theodoros Vasilakopulos, pulmonolog në spitalin e Selanikut.

“Padyshim që duhet të merren masa më të rrepta. Vera për shkak të temperaturës së lartë dhe faktit që ishim jashtë, na i fali gabimet. Por tani në Greqinë Veriore na duhet një karantinë e plotë”. /In.gr/


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë