Nga Gazeta Si- Më shumë se 750 shkolla janë mbyllur në Greqi për shkak se ka mungesë të nxënësve.
Mbylljet, të cilat arrijnë në më shumë se 5 për qind të shkollave në vend, shtrihen përtej fshatrave dhe ishujve të largët, duke prekur pjesë të rajonit të Atikës që përfshin Athinën, ku zyrtarët paralajmërojnë për një “kolaps në demografi”.
“Klasat pasqyrojnë gjendjen e reparteve tona të maternitetit dhe numrin e lindjeve, i cili, për fat të keq, ka qenë në rënie për dekada në vendin tonë”, thotë Sofia Zacharaki, ministrja e arsimit dhe çështjeve fetare e Greqisë.
Të dhënat nga ministria e arsimit tregojnë se numri i nxënësve në arsimin fillor ka rënë me më shumë se 111,000 në shtatë vitet e fundit, një rënie prej 19% që nga viti 2018.
“Rënia po ndodh shumë shpejt, dhe në Greqi është shumë e ndjeshme”, thotë Alexandra Tragaki, profesoreshë e demografisë në Universitetin Harokopio të Athinës. Sot, më pak njerëz janë në moshë riprodhuese krahasuar me dekadat e mëparshme, vuri në dukje ajo.
Këtë vit, 766 nga 14,857 shkollat e Greqisë do të pezullohen për shkak të mospërmbushjes së minimumit ligjor prej 15 nxënësish. Shumica janë shkolla fillore, megjithëse mbylljet po rriten në të gjitha nivelet.
Ndërsa disa institucione mund të rihapen nëse numrat rikuperohen brenda tre viteve, shumica nuk e bëjnë këtë. Një përjashtim bëhet për ishujt afër Turqisë dhe zonat kufitare ku shkollat mbahen të hapura edhe me një numër të vogël nxënësish.
Në Pserimos, një ishull i vogël në Dodekanezë, shkolla do të hapet për herë të parë që nga viti 2009, ku do të ketë vetëm dy fëmijë në fillore dhe 3 fëmijë në kopsht.
“Po i mbajmë shkollat hapur me më pak nxënës sesa lejon ligji normalisht, një vendim i kushtueshëm, por që ne besojmë se është i nevojshëm”, tha Zacharaki.
Rënia e ndjeshme demografike e Greqisë filloi gjatë krizës së borxhit të viteve 2010. Që nga viti 2011, vdekjet vazhdimisht kanë tejkaluar lindjet. Midis regjistrimeve të vitit 2001 dhe 2021, numri i grave në grupin kryesor të lindjes së fëmijëve prej 20-40 vjeç ra me 500,000, ose 31 për qind.
E kombinuar me një eksod të grekëve të arsimuar në vende të huaja në kërkim të një të ardhmeje më të mirë gjatë viteve të krizës, rezultati çoi në një rënie të ndjeshme të prindërve të mundshëm.
Deri në vitin 2022, lindjet vjetore kishin rënë nën 80.000 dhe në vitin 2023 vdekjet ishin pothuajse dyfishi i kësaj shifre. Gratë greke tani lindin fëmijën e tyre të parë në një moshë mesatare mbi 32 vjeç. Pkelloria ka rënë në 1.35, ndër më të ulëtat në Europë dhe lindjet jashtë martese mbeten të rralla.
Zyrtarët pranojnë ndikimin e mbylljes së shkollave, veçanërisht në zonat rurale, ku disa fëmijë mund të udhëtojnë deri në 80 km në ditë. Megjithatë, demografët thonë se vetëm stimujt financiarë nuk ka gjasa ta përmbysin trendin.
“Asnjë fëmijë nuk do të mbetet pa qasje në arsim, pavarësisht se sa e largët mund të jetë shtëpia e tyre”, tha Zacharaki.
Vende të tjera të industrializuara me sisteme të forta mirëqenieje dhe kujdes për fëmijë me cilësi të lartë, përfshirë Danimarkën dhe Suedinë, gjithashtu kanë luftuar për të rritur normat e pjellorisë mbi nivelin e zëvendësimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



