Shendet

Greqia mbyll kopshtet dhe shkollat fillore

Greqia do të mbyllë të paktën për dy javë shkollat dhe kopshtet si një tjetër masë shtrënguese në përpjekjet e autoriteteve për t’i vënë fre pandemisë, që duket se ka dalë jashtë kontrollit.

Tre ministra të Qeverisë dolën në një konferencë për shtyp mesditën e së shtunës për të njoftuar se mbyllja e shkollave fillore dhe kopshteve do të hyjë në fuqi duke nisur nga dita e hënë, datë 16 nëntor dhe do të qëndrojnë mbyllur deri në fund të këtij muaji.

“Do të pezullohet plotësisht mësimi në shkollat fillore në të gjithë vendin. Kopshtet dhe shkollat fillore do të qëndrojnë të mbyllura për dy javë, e po ashtu edhe gjimnazet dhe shkollat e mesme profesionale”, tha ministrja e Arsimit, Niki Kerameos.

Procesi mësimor do të kalojë i gjithi online. Autoritetet thanë se vendimi i marrë nuk lidhet me faktin se fëmijët janë burim i përhapjes së infeksionit, por për të minimizuar në maksimum lëvizjet e prindërve dhe personave të tjerë madhorë, që çonin fëmijët e tyre në shkolla.

Nga ana tjetër, prindërit me fëmijë të mitur do të punojnë me orare të reduktuara, ose mund të marrin një leje të posaçme dyjavore me të drejtë page.

Ekspertët grekë deklarojnë se vendi aktualisht ndodhet në kulmin e valës së dytë të Covid, ku epiqëndra e infeksionit është qyteti i Selanikut dhe rrethinat e tij. Vetëm të premten Greqia numëroi mbi 38 të vdekur nga sëmundja.

Situata në spitale është në prag të kolapsit, ndërsa Ministria e Shëndetësisë njofton thuajse çdo ditë mbylljen e pavioneve të tjera dhe hapjen e spitaleve Covid në qytete të ndryshme. Veç Selanikut, situata paraqitet alarmante edhe në qytetin e Larisës dhe të Pellas.

Një lajm gjysmë të mirë e dha Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis. Ai tha në përfundim të një mbledhjeje urgjente të Qeverisë së Greqia do të përfitojë rreth 25 milionë vaksina anti-Covid, më shumë se dyfishi i popullsisë së vendit, si pjesë e marrëveshjeve të nënshkruara nga BE me kompanitë prodhuese.

Autoritetet greke synojnë që vaksinat e para t’i përfitojnë në fillim të vitit të ardhshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë