Ngjarje

Greqia mbyll Kapshticën pas zbulimit të testeve false të tamponit. Hapur vetëm Kakavija

Qeveria greke njoftoi mbylljen e doganës së Kapshticës pas shtimit të ndjeshëm të rasteve me Covid-19 në Greqinë Veriore, ku epiqendra e tyre është në Selanik dhe Larisë.

Mediat greke thonë se vendimi është komunikuar këtë të enjte nga zëdhënësi i qeverisë. Deri më tani, pala greke lejonte hyrjen nga dogana e Kapshticës të deri 300 personave në ditë.

Me mbylljen e Kapshticës, e vetmja pikë hyrjeje-daljeje tokësore mes Shqipërisë dhe Greqisë mbetet Kakavija, edhe kjo me kufizime të vendosura nga qeveria greke, me jo më shumë se 750 persona në ditë.

Përveç kësaj, zëdhënësi i Qeverisë greke, Petsas tha se të gjithë personat që do të hyjnë në Greqi nga kufijtë tokësorë do t’i nënshtrohen një testi të shpejtë, pavarësisht testit të detyrueshëm PCR që duhet ta kenë kryer brenda 3 ditëve të fundit.

Më herët, Top Channel raportoi se autoritetet greke janë vënë në alarm pas kapjes së një 20-vjeçareje me test anti-Covid të falsifikuar në doganën e Kakavijë. Sipas Top Channel autoritetet greke kanë informacione se në zonën e Korçës ekzistojnë laboratorë të cilat falsifikojnë përgjigjet e testeve negative të COVID-19 PCR , që shërbejnë së bashku me formën PFL, për të hyrë në territorin grek.

Dy ditë më parë janë arrestuar në territorin grek dy shtetas shqiptarë me test të falsifikuar, të cilët u thanë autoriteteve greke se testet i kishin marrë në një agjenci udhëtimi në Korçë, ndërsa me gjasa janë të implikuar edhe policë shqiptare që shërbejnë në këtë pikë kufitare.

Autoritetet greke dyshojnë se mungesa e pajisjeve për të kryer testimet e shpejta në Kapshticë është shfrytëzuar nga falsifikatorët për të kaluar dhjetra qytetarë, ndërkohë që Kakavija është e pajisur me teste të tilla.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë