Ngjarje

Greqi / Vritet me thikë 40-vjeçarja shqiptare, arrestohet bashkëshorti (Foto)

Gazeta Si - Një 40-vjeçare shqiptare, Enkelejda Danaj u gjet e vrarë me thikë në Athinë, ku autor dyshohet se është bashkëshorti i saj, Eduart Danaj, i cili është arrestuar mesditën e së enjtes në rrugën drejt Menidisë.

Sipas informacioneve ai u arrestua në një objekt të braktisur afër stacionit të policisë në lagjen "Filis", ku nuk bëri rezistencë.

Sipas mediave lokale, gruaja, nënë e dy fëmijëve, është gjetur në rrugë me plagë në bark, ndërsa pranë saj kishte edhe thikën me të cilën është vrarë.

Grupi hetimor deri më tani ka përjashtuar pistën e vrasjes për grabitje, pasi 40-vjeçares shqiptare i është gjetur çanta e paprekur me sendet personale, portofoli dhe celulari.

Eduard Danaj, autori i dyshuar i vrasjes së 40-vjeçares. Foto e publikuar nga mediat greke

Sipas mediave vendase pas vrasjes fshihet një histori dhune në familje, pasi 40-vjeçarja kishte denoncuar të paktën një herë më parë dhunën nga bashkëshorti.

Autoritetet policore janë njoftuar nga një kalimtar i rastit, i cili ka parë trupin e gruas të shtrirë në tokë rreth orës 05:00 të mëngjesit të 16 majit.

Ai pretendon se ka parë edhe momentin kur gruaja është plagosur dhe pritet të merret në pyetje nga policia për të dhënë më shumë informacione dhe detaje që mund të çojnë në kapjen e autorit.

Më 18 shtator 2022, viktima ka bërë kallëzim ndaj ish-partnerit të saj për dhunë në familje (kanosje, lëndim fizik dhe fyerje), i cili është arrestuar dhe dërguar në Prokurori.

Ka pasur një urdhër gjykate në bazë të të cilit autorit i ishte ndaluar të jetonte me viktimën, por ajo vetë e kishte lejuar që nga viti 2018.

Asaj i është dhënë një dokument për ekzaminim nga mjeku ligjor dhe një formular me agjencitë dhe numrat e telefonit për viktimat e dhunës në familje.

Më datë 7 maj 2024, viktima ka bërë padi ndaj ish-partnerit të saj për dhunë në familje (kanosje, lëndim fizik dhe fyerje), i cili u arrestua dhe u dërgua në Prokurori, ndërsa të premten 17 maj 2024 do paraqitej në gjyq.

I është dhënë urdhër për ekspertizë mjeko-ligjore dhe i janë dhënë informata, udhëzime dhe ndihmën e nevojshme nga organet kompetente.

Përveç kësaj, ajo u informua për mundësinë e instalimit të aplikacionit “Panic Button” në celularin e saj dhe iu dha një kod për të hyrë në aplikacionin në fjalë.

Ajo u informua për mundësinë e transferimit të saj në një strukturë pritëse dhe deklaroi se nuk dëshironte. Në tre rastet, autori u arrestua dhe herën e tretë prokurori e la të lirë.

Sakaq, një dëshmitare, e shokuar tregon se si vajza e vogël erdhi e tronditur , duke qarë dhe duke folur në telefon. “Një vajzë e vogël erdhi këtu në vendin e ngjarjes, dhe tha ‘ndoshta është nëna ime’ ndërsa ajo po qante dhe qante”, thotë ajo.

“Ajo i tregoi një foto policisë dhe ata e identifikuan si nënën e saj. Vajza tha se mamaja e saj nuk shkoi në punë sot dhe pasi ia tregoi fotografinë policisë, ajo u tha se babai i saj e kishte vrarë. Ajo fliste në telefon dhe thoshte ‘më kanë vrarë mamin, kanë vrarë. mamaja ime, ajo ishte shumë e tronditur”, tregon ajo.

“Ajo po thoshte ‘ndoshta babai im e vrau, ai e gjeti atë rrugës për në punë’. Siç shpjegon dëshmitarja vajza me siguri në atë moment ka qenë duke folur me vëllain e saj dhe i ka thënë: “Babi e ka vrarë mamin”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë