Ka ndodhur

Greqi / Shqiptari lidh, dhunon dhe drogon të dashurën 19-vjeçare deri sa dështon fëmijën

Gazeta Si - Një i ri shqiptar, i identifikuarsi Ymer Haxhiaj, ka përfunduar pas hekurave në Greqi, pasi akuzohet i përfshirë në një ngjarje të rëndë.

Mediat greke raportojnë se 27-vjeçari shqiptar, që jetonte në ishullin Zakynthos akuzohet se ka dhunuar dhe droguar të dashurën e tij 19-vjeçare, A.M., e cila ishte dhe shtatzënë.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së martës, kur i riu ka shkuar dhe ka marrë nga shtëpia 19-vjeçaren, e cila ishte rreth 2 muajshe shtatzënë.

Sipas të njëjtave informacione, 27-vjeçari pasi ka marrë partneren në shtëpinë e tij, e ka lidhur, e ka rrahur dhe e ka detyruar të marrë mjekim për të ndërprerë shtatzëninë.

Fillimisht çifti bashkëjetoi për disa kohë, por duket se kanë nisur edhe mosmarrëveshjet, ndaj dhe vajza vendosi që të largohej nga banesa dhe jetonte me prindërit e saj.

Pak ditë më vonë Haxhiaj ka shkuar në banesën e saj dhe e mori A.M., me automjetin e tij dhe iu drejtuan banesës në Cilivi.

Atje pas një debati, i kërkoi 19-vjeçares të qëndrojë në banesë, por ajo e refuzoi. I ofenduar nga refuzimi, ai e lidhi viktimën me litarë nga duart dhe këmbët dhe pasi e dhunoi, e detyroi atë me marrë  dy kokrra ilaç për të dështuar fëmijën. Brenda pak minutash e reja e humbi fëmijën e cila sipas mjekut ligjor ishte 6-8 javësh.

Për shkak të dështimit të pa kontrolluar, hemorragjia ishte e madhe, çka e detyroi autorin ta çojë viktimën në spital.

Por edhe atje Haxhiaj pasi i mori telefonin, e  kërcënoi viktimën për të mos treguar asgjë mjekëve dhe policisë.

Çdo gjë u zbardh mbas ndërhyrjes së mjekëve të cilët denoncuan rastin në polici dhe autori u vu në pranga. Atje ai pohoi se kishte kryer aktin makabër pasi sipas tij nuk donte të vinte në jetë fëmija, produkt i lidhjes së tij me 19-vjeçaren.

Shërbimi social mori menjëherë në mbrojtje viktimën, ndërsa autori do të dërgohet në gjykatë me akuzat e dhunës, plagosjes, detyrim për ndalimin e shtatzënisë dhe pengmarrje. Vepra penale të konsideruara të tipit të rëndë që dënohen me heqje lirie mbi 7 vjet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë