Gazeta Si – Ashtu si qindra – madje mijëra – njerëz çdo vit, ajo po vëzhgonte nga shumë afër ngritjen e një avioni, kur një rrymë e fuqishme ajri nga motori bëri që ajo të humbiste ekuilibrin dhe të rrëzohej përtokë.
Një turiste italiane 52-vjeçare ndodhet në gjendje kritike, pasi pësoi dëmtime të rënda në kokë pranë pistës së njohur të Aeroportit “Alexandros Papadiamantis” në Skiathos, Greqi. Sipas mediave lokale, ajo ka pësuar hemorragji cerebrale dhe traumë të rëndë në kokë.
Incidenti ndodhi rreth orës 13:15 të së hënës, më 10 gusht, ndërsa një avion pasagjerësh po përgatitej për t’u nisur.

Aeroporti i Skiathos njihet për pistën e tij që ndodhet pikërisht pranë detit dhe një rruge publike, pa asnjë gardh që të ndajë njerëzit apo t’i mbajë ata në një distancë të sigurt.
Si pasojë, qindra turistë mblidhen çdo ditë pas një muri për të parë mbërritjen apo nisjen e avionëve, pavarësisht pranisë së tabelave të ndryshme paralajmëruese.
Turistja italiane po qëndronte pikërisht pranë murit rrethues kur një rrymë e fuqishme ajri nga motorët e avionit e rrëzoi atë përtokë.
Shërbimet e urgjencës u mobilizuan menjëherë. Gruaja u dërgua fillimisht me urgjencë në qendrën shëndetësore të Skiathos-it, ku mjekët kryen një skaner që zbuloi një hemorragji cerebrale dhe traumë të rëndë në kokë.

Më pas, duke pasur parasysh rëndësinë e lëndimeve, ekipi mjekësor organizoi transferimin e 52-vjeçares në kontinent, në Spitalin e Përgjithshëm të Volosit.
Pak orë më vonë, një tjetër turist italian u përfshi në një incident shumë të ngjashëm. I bllokuar në vorbullën e gazrave të shkarkimit, pikërisht në të njëjtin vend ku ndodhi incidenti me gruan 52-vjeçare, ai raportohet se theu krahun. Autoritetet po hetojnë të dyja incidentet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje