41-vjeçari G. Ç., lindur në Korçë dhe banues në Dishnicë të Korçës, është i burgosuri i arratisur mbrëmjen e djeshme nga spitali i Serres në Greqi.
41-vjeçari nga Korça rezulton person me precedentë të rëndë penalë në Shqipëri e në Greqi. Konkretisht ai rezulton i dënuar në Shqipëri në korrik 2024 me 2 vjet burgim për “shkatërrim i pronës me zjarr” e kryer në bashkëpunim dhe në rrethana rënduese.
Fillimisht ai ishte hetuar në masën “Arrest në burg” por më pas Gjykata e kishte zbutur masën në “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Garancia pasurore”. Ai është akuzuar për djegien e një automjeti në 24.04.2023, në lagjen 13, Rr. “Loni Grazhdani” në Korçë.
Më herët, në janar 2023, në kuadër të operacionit “Fijet”, policia procedoi G. Ç. për shkak se gjeti të vendosura kamera në mënyrë të paligjshme pranë banesës së tij.
Në 3 shtator 2024, ai hapi zjarr në Pylaia të Selanikut, duke tentuar të vrasë një 25-vjeçar grek jashtë një kantine. Greku u plagos me 3 plumba por arriti t’i mbijetojë plagëve, ndërsa autori arriti të arratisej.
Policia greke arriti ta identifikojë dhe organizoi operacion për kapjen e tij në shtator 2025. Sipas policisë greke, G. Ç., rezulton kreu i një grupi kriminal që kryen trafik droge dhe veprime të dhunshme.
Pas arratisjes, policia greke ka nisur një operacion të gjerë për lokalizimin dhe arrestimin e tij dhe të personave që ndihmuan në arratisje. Kontrollet janë përqendruar në zonën përreth Serres, ndërsa janë ngritur postblloqe në akset kryesore rrugore dhe në pikat kufitare.
Sipas informacioneve të para, në përpjekje për t’u larguar ata kanë goditur diku me automjetin, ndërsa një prej tyre dyshohet se është plagosur në kokë.
Brenda makinës, policia gjeti një kallashnikov dhe municione, ndërsa specialistët kanë marrë mostra dhe materiale për ekzaminim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje