Treg

Gratë në Shqipëri të diskriminuara në tregun e punës

Gratë kanë më pak gjasa të marrin pjesë në tregun e punës. Ato mbesin jashtë forcës së punës kryesisht pasi janë duke përmbushur detyrat shtëpiake ose sepse janë nxënëse duke ndjekur shkollën.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se për popullsinë 15-64 vjeç, diferenca e pjesëmarrjes së burrave dhe grave në forcat e punës, në 5 vitet e fundit ka qenë pothuajse i pandryshuar, me një përmirësim të pjesëmarrjes së grave në tregun e punës me 59,7 % në vitin 2018, nga 50,1 % që ishte në vitin 2013.

Vetëm 1,0 % e burrave kanë si arsye të inaktivitetit të tyre përmbushjen e detyrave shtëpiake dhe 30,4 % e tyre janë studentë ose nxënës.

Punësimi dhe struktura e punësimit

Shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është mbi 60 % për burrat dhe 52 % për gratë e kësaj grup-moshe. Struktura e të punësuarve sipas statusit të aktivitetit tregon se 25,5 % e grave janë të punësuara me pagë, ndërsa 14,0 % e tyre janë punëtore pa pagesë në biznesin e familjes.

Për burrat e punësuar këto shifra janë përkatësisht 29,4 % dhe 10,0 %. Një pjesë e konsiderueshme e burrave që punojnë janë të vetëpunësuar 27,4 %, ndërsa gratë e vetëpunësuara përbëjnë 12,5 %.

Për gratë dhe burrat e moshës 15-64 vjeç mbizotëron punësimi në sektorin e bujqësisë. Në vitin 2018, në sektorin bujqësor janë punësuar 42,3 % e të punësuarave gra, duke pësuar një rënie, krahasuar me një vit më parë.

Sektori i dytë që zë peshën më të madhe në punësimin e grave, pas sektorit të bujqësisë është ai i administrimit publik, shërbimeve sociale, dhe aktiviteteve dhe shërbimeve të tjera. Për burrat, sektori i dytë që zë peshën më të madhe në punësimin e tyre është sektori i tregtisë, transportit, hotelerisë, shërbimeve të biznesit dhe administrative.

Papunësia

Në vitin 2018, sipas të dhënave të anketës së forcave të punës, shkalla e papunësisë për burrat në moshën 15-64 vjeç është 13,2 %, kundrejt 12,3 % të grave. Shkalla e papunësisë për të dy gjinitë ka pësuar rënie, krahasuar me një vit më parë. Situata e papunësisë për burrat është përmirësuar më shumë, krahasuar me gratë, duke pësuar rënie prej 1,9 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2017.

Hendeku Gjinor në Paga (HPGJ)

Gjatë vitit 2018, bazuar në të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, hendeku gjinor në paga arriti në 10,7 % nga 10,5 % që ishte një vit më parë. Në këtë vit, sektori ekonomik, në të cilin hendeku gjinor në paga është më i lartë, është sektori i prodhimit, ku vlera e H.Gj.P arrin në 24,4 %. Ndërsa sektori ekonomik ku H.Gj.P arrin vlerën më të ulët, prej 3,0 %, është sektori i tregtisë, transportit, hotelerisë, shërbime të biznesit dhe administrative. I parë sipas grup–profesioneve kryesore, hendeku gjinor në paga arrin vlerën më të lartë për zejtarët, dhe punonjësit e montimit të pajisjeve dhe makinerive.
Vlerën më të ulët HGjP e arrin për punonjësit e forcave të armatosura, me 2,3 %.

Pensionet

Nga përfituesit e pensioneve urbane, në vitin 2018, 47,0 % janë gra. Raporti gjinor për përfituesit e pensioneve rurale ndryshon ndjeshëm, me 64,7 % të të siguruarve që janë gra.
Në këtë vit, numri i kontribuesve vullnetarë arrin në 5.213 persona të siguruar, ndër të cilët 63,3 % janë gra.

Politikat e punësimit

Të dhënat e Shërbimit Kombëtar të punësimit tregojnë, numrin e punëkërkuesve të papunë të regjistruar për përfitimin e kurseve të formimit profesional dhe në programet e nxitjes së punësimit gjatë vitit 2018. Në atë vit, gratë punëkërkuese të papuna marrin pjesë më shumë se burrat në programet e nxitjes së punësimit ndërsa burrat punëkërkues të papunë marrin pjesë më shumë në kurset e formimit profesional. Numri i grave punëkërkuese të papuna në përgjithësi rritet me rritjen e moshës, ndërsa e kundërta ndodh për burrat. Të dhënat tregojnë se rreth gjysma e grave dhe burrave punëkërkues të papunë kanë vetëm arsim 8/9-vjeçar.

 

Më Shumë