Shendet

‘Grali i Shenjtë’ në kardiologji, zbulohet ilaçi që rindërton indet e zemrës

Një kurë e re për zemrën e quajtur nga mjekët “Grali i Shenjtë” është inovacioni më i ri në fushën e mjekësisë. Injektimi i medikamentit të quajtur “Thymosin Beta 4”, shërben për të rigjeneruar qelizat e muskujve të zemrës. Në studimin e kryer tek derrat, injektimi i gjenit nxiti rritjen e qelizave që mund të rindërtojnë indet e dëmtuara nga sëmundjet e zemrës.

Aktualisht, njerëzit që përjetojnë atak kardiak janë delikatë dhe janë të rrezikuar më shumë se të tjerët, për t’u prekur nga sëmundje të ndryshme.
Shkencëtarët më parë nuk kanë gjetur një mënyrë për të rivendosur, ose për të hequr indet e dëmtuara që organi të punojë normalisht përsëri, por ky zbulim do ta ndryshojë këtë gjendje. Tashmë mjekët mund të kthejnë zemrën në gjendjen e mëparshme, duke e bërë të shëndetshme brenda disa javësh. Studiuesit nga Kolegji King’s në Londër injektuan medikamentin në zemrat e derrave të cilat ishin të sëmurå dhe zbuluan se organi u kthye në normalitet brenda një kohe të shkurtër.

Për shkak të ngjashmërive midis zemrës së derrit dhe njeriut, shkencëtarët shpresojnë se trajtimi i njëjtë mund t'u jepet njerëzve.
“Është një moment shumë emocionues për fushën e mjekësisë,” tha profesori Mauro Giacca, autori kryesor i studimit. “Pas shumë përpjekjeve të pasuksesshme në rigjenerimin e zemrës duke përdorur qelizat burimore, të cilat kishin dështuar deri më tani, për herë të parë po shohim një përmirësim të zemrës tek kafshët,” shtoi ai. Ky trajtim mund të ofrojë shpresë për njerëzit që vuajnë nga sëmundjet e zemrës, një gjendje që prek më shumë se 23 milionë njerëz në mbarë botën.
"Një trajtim që ndihmon në riparimin e zemrës pas sëmundjeve të ndryshme është “Grali i Shenjtë” për kardiologët. Për herë të parë ka një studim që demonstron se kjo mund të jetë vërtet e realizueshme", tha Ajay Shah kryetarja e fondacionit “Zemra”.

Ekipi shpreson që të gjendet një version më efikas për njerëzit.
Profesori Giacca tha se nevojiten më shumë teste dhe zhvillime, por ai beson se medikamenti mund të jetë në dispozicion të njerëzve brenda 10 viteve. "Duhet të mësojmë se si të administrojmë ARN si një molekulë sintetike tek kafshët fillimisht dhe pastaj tek pacientët. E rëndësishme është që tashmë ka një zgjidhje,” shton ai. / Daily Mail


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë