Analize

Grafiku / Iluzioni i uljes së infektimeve të reja

Ministria e Shëndetësisë raportoi ditën e hënë 775 raste të reja me Covid dhe ky u interpretua si lajmi i dytë i mirë pas atij që numri i të shëruarve ishte më i lartë se ai i të infektuarve të rinj.

Por, a u ulën vërtetë rastet e reja në krahasim me ditët e tjera të muajit shkurt? Gazetasi.al ka analizuar shifrat në 15 ditët e muajit shkurt. Për të kuptuar më qartë kurbën e përhapjes së infeksionit duhet nxjerrë përqindja e personave që kanë rezultuar pozitivë në raport me numrin total të testimeve.

Nga ky grafik kuptohet që ditën e hënë, kur janë raportuar më pak raste të reja se në të gjitha ditët e tjera të muajit shkurt, përqindja e të infektuarve është e lartë, kjo për shkak se edhe numri i testimeve, prej 2698 ishte mbi 30 për qind më i ulët në krahasim me ditët e tjera.

Ajo që vihet re gjithashtu është se në tre ditët e fundit, pra në datat 13, 14 dhe 15 shkurt, përqindja e të infektuarve nuk ka zbritur nën 28 për qind, një shifër e lartë në krahasim me përqindjet e të infektuarve në vendet e rajonit.

Shifra më e ulët e infeksioneve të reja është regjistruar më 6 shkurt me 24.8 për qind, ku njëkohësisht është regjistruar edhe numri më i lartë i testimeve prej 4539 të tilla, ndërsa numri më i lartë i infektimve në raport me testimet është regjistruar më 1 shkurt me rreth 29.2 për qind. Numri më i ulët i testimeve është më 15 shkurt me 2698.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë